SHPËRNDAJE

Kryeministri Ramush Haradinaj thirri një konferencë të jashtëzakonshme që në 8:30 të mëngjesit për të folur për 49 milionë euro që Amerika i dha si ndihmë Kosovës javën e kaluar.

I pari i Qeverisë së bashku me koordinatorin nacional për Sfidat e Mijëvjeçarit, Petrit Selimi, dhanë detaje për përfitimet e Kosovës nga ndihma amerikane.

Haradinaj madje tha se kjo ndihmë është një konfirmim për të rinjtë mund ta bëjnë jetën edhe në Kosovë, shkruan gazetametro.net.

“Jam i bindur se me lajme të tilla do t’u konfirmojmë të rinjve tanë se mund të bëjnë jetën në Kosovë dhe jo të kërkojnë shpresë për jetë në vendet e tjera”, ka thënë Haradinaj.

Petrit Selimi ndërkaq ka thënë se kjo është ndihma më e madhe amerikane për Kosovën në fushën ekonomike që nga paslufta. Ai madje bëri të ditur se Kosova mund të përfitojë edhe grante të tjera.

“Kosova nëse arrin suksese dhe partneritet të vazhdueshëm nuk përjashtohet fare mundësia që të kualifikohet për mjete të tjera investime. Kemi filluar me 49 milionë që është e dyta më e madhe dhe nëse vazhdohet me sundimin e ligjit dhe zhvillimet ekonomike patjetër do të vazhdohet edhe me investime të tjera”, ka thënë Selimi.

Ndryshe, javën e kaluar presidenti Hashim Thaçi ishte në Amerikë ku nënshkroi marrëveshjen mes Kosovës dhe MSS, e cila i jep Kosovës 49 milionë euro për rritjen e efiçiencës energjetike.