SHPËRNDAJE

Prokuroria Speciale e Kosovës ka urdhëruar Policinë e Kosovës që t’i intervistojë banorët shqiptarë të një ndërtese në Prishtinë të cilët po pretendojnë se janë torturuar nga ministri i sapoemëruar i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo.

Lajmin për intervistimin e banorëve, fqinj të dikurshëm të Rikalos, e konfirmoi për BIRN kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku.

“E kemi autorizuar policinë që t’i intervistojë banorët. Intervistimet janë bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale”, tha Millaku.

Akuzat kanë zgjuar reagime të shumta nga politika dhe shoqëria në Kosovë.

Vetë Rikalo i ka mohuar ato akuza përderisa dy partitë opozitare, VV e LDK, kanë kërkuar nga prokuroria nisjen e hetimeve ndërsa nga Ramush Haradinaj për shkarkimin e ministrit të tij.

Por Haradinaj, në një deklaratë të lëshuar javën e kaluar, e mbrojti ministrin Rikalo duke thënë se kishte kërkuar nga Prokuroria, AKI dhe Policia informata rreth akuzave të qytetarëve por këto institucione nuk kishin pasur informacione që ai mund të jetë i përfshirë në veprime të tilla.