SHPËRNDAJE

Zëdhënësi i ri i KFOR-it, Pio Sabetta i është përgjigjur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili paralajmëroi incidente në Kosovë në vjeshtë.

Gjendja e sigurisë është rezultat i shumë faktorëve, si ekonomia, politika, mirëqenia, të gjitha këto mund të ndikojnë në gjendjen e sigurisë e cila monitorohet çdo ditë në mënyrë që të merren masat e nevojshme, ka thënë zëdhënësi i ri i KFOR-it, Pio Sabetta.

Kjo ishte përgjigja e tij për “Danas” në deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për incidentet e mundshme në Kosovë në vjeshtë.

I pyetur nëse KFOR-i ka njohuri në lidhje organizatën terroriste shqiptare B-13, për të cilën disa media në Serbi pohojnë se ka në plan të sulmojë serbët në Mitrovicën veriore, Sabetta u përgjigj se KFOR-i po e ndjek me vigjilencë dhe në vazhdimësi situatën.

Vuçiq në një bisedë për TV Prva, deklaroi se nuk përjashton mundësinë e incidenteve në Kosovë, “porse nuk do të ketë zbatim të planit të B-13, meqë Serbia nuk do të lejojë plagosjen ose vrasje të serbëve”.

Mirëpo, Sabetta theksoi se në përputhje me mandatin në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, KFOR-i “nuk ka kurrfarë roli në sundimin e të drejtës ose zbatimin e ligjit në Kosovë dhe nuk është i përfshirë në luftën kundër terrorizmit, meqë kjo është jashtë mandatit të tij, por KFOR-i e ndjek me vigjilencë dhe pa ndërprerë situatën”.

“KFOR kontribuon për mbajtjen e një ambienti të sigurt e të qëndrueshëm dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë të paanshme, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike dhe se mbetet i përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”, u shpreh ai.

“KFOR-i do të vazhdojë të veprojë, duke bashkëpunuar ngusht me organizatat vendore e ndërkombëtare të sigurisë, në ditën e zgjedhjeve”, përfundoi ai.