SHPËRNDAJE

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka kërkuar falje që e ka pranuar tash deputetin e e Kuvendit të Kosovës, Milaim Zekën, që të garoi për deputet nga radhët e Nismës.

 

Përmes një shkrimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se ka gabuar kur e ka pranuar anëtarësimin e Milaim Zekës në Nismën Socialdemokrate.

 

“Kurrë nuk kam qenë, në as do të jam në shërbim të asnjë njeriu, cilido që të ketë qenë fuqia e tij politike, e sidomos jo pas vitit 1991 e këndej, krejt deri me sot. Nëse gjatë këtyre viteve pendohem për ndonjë veprim timin është: Pranimi i Milaim Zekës që të garoi në Listën e Nismës për deputet i Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

 

 

“Për ketë gabim timin, qytetarëve të Kosovës, burrave e grave U KËRKOJ FALJE! U kërkoj falje për gjuhën që ai përdor në Kuvendin e Kosovës dhe e cila gjuhë e degraduar hynë në çdo familje shqiptare”, ka thënë Krasniqi. “Sinqerisht, qytetarëve të Kosovës, familjeve shqiptare u kërkoj falje prej më të sinqertave!”.

 

Zeka, në një deklarim për emisionin Info Magazine të Klan Kosovës, tha sot se nuk është pjesë e Nismës Socialdemokrate, edhe pse ai bën pjesë në Grupin Parlamentar të Nismës dhe është zgjedhur deputet nga radhët e kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të qershorit, të vitit 2018.