SHPËRNDAJE

Edward Joseph, ish-diplomat amerikan dhe profesor në Universitetin Johns Hopkins, në një intervistë për REL, ka deklaruar se në Washington ka qëndrime të ndryshme rreth mënyrës se si duhet të merren vesh Kosova me Serbinë.

Ai ka thënë se John Bolton është pro opsionit të shkëmbimit të territoreve dhe se në Departamentin Amerikan të Shtetit ka një politikë tjetër.

“Unë nuk jam zëdhënës i administratës amerikane. Megjithatë, shoh se ka qëndrime të ndryshme në Washington. Për shembull, për dallim nga Bolton, Departamenti i Shtetit ka një pozicion tjetër që thekson se secila zgjidhje për Kosovën duhet t’i kontribuojë stabiliteti rajonal ndërsa shkëmbimi i territoreve gjithsesi që nuk i kontribuon stabilitetit të Ballkanit” ka thënë Joseph.

Duke folur rreth Këshilltarit të Trump John Bolton dhe vizitës së tij të mundshme në rajon, Kosovë e Serbi, ka thënë se nuk e di nëse ai do të udhëtojë këndej, por thekson se Bolton është përkrahës i këmbimit të territoreve.

“ Nuk e di sa është reale kjo dhe se a planifikon Bolton një vizitë të tillë. Megjithatë e di që qëndrimi i tij, të cilën e ka shfaqur në Ukrainë atje ku Rusia ka kryer invadim, ndërsa Putin me këtë rast e ka përmendur Kosovën si një arsyetim për veprimet e tij atje. Pra, Bolton në Ukrainë e ka sinjalizuar përkrahjen e tij për këmbimin e territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si një zgjidhje. Ky është një skenar i rrezikshëm që nuk do ta zgjidhte kontestin. Përkundrazi do ta komplikonte më tej situatën, pothuajse do t’i jepte fund pranisë së serbëve në jug të Kosovë do ta cenonte statusin e Deçanit, Graçanicës dhe trashëgimisë së rëndësishme serbe. Me këtë do të hapeshin menjëherë çështjet më të gjera rajonale, siç është Sanxhaku dhe Repubika Srpska”

Duke komentuar rreth zgjedhjeve Jospeh Ka thënë se e ardhmja politike e Haradinajt tani është në duart e Gjykatës në Hagë.

“Ai së pari ballafaqohet me cështjet të drejtësisë para se të fokusohet në ato politike” ka vlerësuar Jospeh i cili ka shërbyer edhe si diplomat amerikan në kuadër të OSBE’së.

“Por të shohim se si do të zhvillohet procesi gjyqësor. Nuk është punë e vogël dorëheqja nga posti i Kryeministrit dhe marrja në pyetje” ka shtuar ai.

Duke folutr rreth tarifës që Kosova ka vendosur ndaj Serbisë, Jospeh ka thënë se ka pasur mospajtime ndërmjet Prishtinës dhe Washingtonit që ka kërkuar heqjen e saj duke theksuar se edhe qeveria në dorëheqje mundet t’a heq tarifën nën kushte të caktuara përfshirë edhe gatishmërinë për t’i kontribuar zhvillimeve pozitive.

I pyetur nëse Haga është përdorur nga SHBA’të për t’i bërë presion Haradinajt, Joseph ka thënë se në masë të madhe kjo është një spekulim që është tipik për Ballkanin ku përhapen teori komploti edhe kur bëhet fjalë për institucione të drejtësisë që do të duhej të ishin krejtësisht të pavarura nga ndikimet politike.

Duke folur për Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, Joseph ka thënë se është qesharake të thuhet se ai nuk mundet ta zgjidhë problemin e Kosovës.

“Kryeqytet europiane dhe Washingtoni duan t’i ndihmojnë Beogradit dhe Prishtinës që të gjejnë zgjidhje e cila do të çojë drejt stabilitetit. Vuçiq e ka rastin që ta gjejnë zgjidhjen për serbët e cila do të mund ta ruante dinjitetin e tyre dhe lidhjen afatgjatë me Kosovën dhe njëkohësisht kjo do ta forconte edhe Bosnjën e Hercegovinën. Këtë mund ta bëjë nëse do. Por nëse vendos edhe më tej të luaj me kartën e Perëndimit dhe Rusisë, Serbia edhe më tej do të vuaj nga kjo dykuptimësi” ka thënë Joseph.