SHPËRNDAJE

Këshilli për Mbrotjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reagur përmes një komunikate për media rreth deklaratave të historianit dhe njërit nga themeluesit e LDK-së Jusuf  Buxhovi.

Në këtë reagim KMDLNJ ka thënë se Buxhovi do të ishte një dëshmitar i shkëlqyeshëm për Prokurorinë Speciale të Kosovës.

“Realisht , z. Buxhovi del të jetë i informuar përtej dyshimeve se kush qëndron prapa vrasjes së 102 anëtarëve të LDK-së sepse e ndërlidhë me “ luftën e papastër të UÇK-së “ e që mund të jetë një mundësi e shkëlqyeshme për Prokurorinë Speciale të Kosovës e cila duhet ta intervistojë z. Buxhovi në mënyrë që , më në fund të fillojë të zgjidhet lëmshi i vrasjeve të pasqaruara të aktivistëve politikë të LDK-së sikur që familjarët e të vrarëve të lirohen nga ankthi i pritjes për ndriçimin e këtyre rasteve”.

KMDLNJ ka thënë se nëse Buxhovi nuk ofron fakte që e argumenton luftën e papastër të UÇK-së për vrasjen e 102 aktivistëve të LDK-së, atëherë duhet të thirret në përgjegjësi ligjore për shtrembërim dhe paraqitje të pavërtetë të fakteve.

KMDLNJ ka kërkuar që të ndalet linçimi publik ndaj Jusuf Buxhovit.

“Fjala publike bartë përgjegjësi publike por edhe përgjegjësi ligjore , nëse del të mos jetë e vërtetë. Në këtë kontekst , KMDLNj kërkon të ndalet sulmi dhe linçimi publik ndaj z. Buxhpvi , deri në përfundim të rastit i cili duhet të hetohet . Linçimi publik paraqet kërcënim për sigurinë dhe jetën e z. Buxhovi prandaj duhet të ndërpritet sikur që ndaj kërcënuesve duhet të veprohet në përputhje me ligjet në fuqi”.

Ndaj deklaratave të mbrëmshme të Buxhovit kanë reaguar përfaqësues të UÇK-së.

Nënkryetari i PDK-së, Gani Koci përmes Facebookut ka thënë se UÇK duhej ti pastronte mbeturinat si soji i Buxhovit.

““Para së të gjykonte për pastërtinë e luftës së UÇK-së, Jusuf Buxhovi duhet të përgjigjet për vrasjën e Jusuf e Bardhosh Gërvalles dhe Kadri Zekës, dhe arrestimin e grupit të Hysen Gegës me dëshmitë e të cilit ky grup ishte dënuar me dhjetra vjet! Vërtetë lufta e UÇK-së, është dashur të spastroj të gjitha mbeturinat e sojit të buxhovëve!”, ka shkruar Koci”.

Kurse, Ish-ambasadori i Kosovës, Sabri Kiçmari, ka reaguar ndaj deklaratave të historianit Jusuf Buxhovi se lufta e UÇK-së nuk ka qenë e pastër.

I njejti po thotë se propagandë të tillë kishte përjetuar gjatë luftës, derisa edhe në atë kohë shton se kishte pasur njerëz që mundoheshin të dezinformonin sa i përket luftës së UÇK-së

“E kam përjetuar një propagandë të tillë edhe gjatë luftës. Në takimet e shumta diplomatike si përfaqësues diplomatik i UÇK, me mund dhe durim të madh, më duhej t’ua shpjegoj diplomatëve dhe gazetarëve të shumtë karakterin e pastër të luftës sonë. Edhe në atë kohë kishte njerëz, që mundoheshin të dezinformojnë publikun se lufta jonë për liri ka karakter terrorist, fundamentalist ose ideologjik. Koha e vërtetoi se nuk kanë pasur të drejtë! Diplomatët ndërkombëtar e kuptuan dhe na mbështetën, pikërisht për shkak të karakterit të pastër të luftës sonë”, tha Kiçmari.