SHPËRNDAJE

Edhe pse ende nuk është zyrtarizuar, tashmë koalicioni PAN ka gjetur partnerin qeveritar që ua bën të mundur formimin e institucioneve. Këtij koalicioni që doli i pari në zgjedhjet e 11 qershorit, do t’i bashkohet edhe AKR e Behgjet Pacollit. Gazeta Metro ka mësuar nga burime brenda PAN’it dhe AKR’së, se tanimë është arritur marrëveshja edhe për ndarjen e resoreve qeveritare.

PAN, mësohet të jetë pajtuar edhe me kërkesën kryesore të AKR’së. Ministria e Jashtme do të drejtohet nga Behgjet Pacolli. Gazeta Metro mëson se në këtë pikë më së shumti është diskutuar, pasi PDK ka pretenduar që të vazhdojë ta drejtojë diplomacinë e vendit, por në fund është detyruar që të heq dorë, si mundësia e vetme që të arrihen numrat për krijimin e institucioneve.

Me këtë AKR është bindur që të bëhet pjesë e koalicionit, dhe të enjten e ardhshme, të votojë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, e më pas edhe qeverinë Haradinaj.

Në këtë koalicion, sa i përket ndarjes së dikastereve qeveritare, më e fituara ka dalë të jetë Nisma e Fatmir Limajt. Kjo parti, janë marrë vesh të drejtojë disa nga ministritë më të rëndësishme në vend. Partia e Limajt, mësohet se do të drejtojë Ministrinë e Arsimit, atë të Tregtisë dhe Industrisë, dhe do të ketë zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, të cilën do ta drejtojë Lista Serbe. Në këtë ministri mësohet se nuk do të ketë zëvendësministër tjetër, përveç atij nga Nisma, dhe kjo me qëllimin që roli i zëvendësministrit të mos jetë simbolik siç ndodhë zakonisht. Nga ajo që ka arritur të mësojë Gazeta Metro deri tani, Nisma, do ta drejtojë edhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Në anën tjetër, PDK e cila deri vonë kishte drejtuar dikasteret kryesore qeveritare, duke përfshirë edhe dy mandate të kryeministrit, në qeverinë Haradinaj del të jetë humbësja më e madhe. Ajo kësaj here nuk do të drejtojë as diplomacinë. Partia e kryetarit Veseli, do të mjaftohet me ministrinë e Punëve të Brendshme, si resori më i rëndësishëm që ajo do të drejtojë në kuadër të kësaj qeverie. Gjithashtu, PDK’së do t’i besohet edhe Ministria e Integrimeve.

Ndërsa, AAK përveç kryeministrit, Gazeta Metro mëson se do ta drejtojë edhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.