SHPËRNDAJE

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, ka thënë se ka kohë që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po pranon të bashkëpunojë me VV’në për koalicion të mundshëm qeverisës.

Në “Info – Box” të RTV Dukagjini, ai ka thënë se nuk kanë pasur takime me LDK-në, por nuk e përjashtoi një mundësi të tillë.

“Vetëvendosje ka bërë ftesa, kurse LDK-ja ka refuzuar. Albin Kurti i është qasur drejtpërdrejt Mustafës dhe nuk ka pasur kthim të përgjigjes së tyre. Do të thotë e ka për shkak të hidhërimit. Nuk mendoj se tash Kosovës mund t’i ndihmojmë duke i shfaqur hidhërimet tona të vjetra”, është shprehur Konjufca.

Ai  theksuar se ata përveç se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për të parin e Kuvendit të Kosovës, nuk do t’i votonin as ata që kanë qenë të grumbulluar prapa SHIK-ut”.

Konjufca ka thënë se brenda koalicioni PAN ka njerëz për të cilët do të mund t’i votonin për kryetar të Kuvendit.

“Nuk mendoj se Xhavit Haliti është opsion i mirë për t’u votuar. Mund të ketë kandidat, por nuk të jap emra, sepse kjo do të përbënte njëfarë lloj favorizimi për ndonjë emër të veçantë”, ka shtuar Konjufca.

Ai thotë se me Vetëvendosjen assesi nuk mund të diskutohet për formimin e Qeverisë nga koalicioni PAN.

“Kryetari i Kuvendit mund edhe të diskutohet deri diku, por për Qeverinë kjo as nuk vjen në shprehje. Do të ishte banale dhe qesharake si kërkesë”, tha Konjufca.