SHPËRNDAJE

Edhe 18 vjet pas përfundimit të luftës, Serbia vazhdon t’i mbajë rreth 12 milionë dokumente të librave kadastralë, të cilat i mori në Kosovë, raporton KTV.

Megjithëse në vitin 2011 në bisedimet me Serbinë në Bruksel u arrit Marrëveshja për kthimin e këtyre librave, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Dhe krejt kjo, për faj të Kosovës, e cila ka dështuar në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke mos i kryer obligimet të cilat i takojnë.

Fillimisht Kuvendit të Kosovës i ishin dashur rreth katër vjet që ta miratojë Ligjin për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronave, pas të cilit do të krijohej edhe Agjencia, obligim ky i dalë nga marrëveshja.

Ndërsa edhe pse u miratua ky ligj për shkak të zgjedhjeve presidenciale në Serbi dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, kjo marrëveshje sërish ka mbetur pa u zbatuar.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova në atë kohë ishte pajtuar që t’i marrë vetëm kopjet e origjinalit dhe atë në mënyrë elektronike. Zyrtarë të cilët ishin pjesë e këtyre bisedimeve thonë se kanë marrë model Kroacinë dhe Slloveninë kur pranuan që Serbia ta mbajë origjinalin.

Ndërkaq zyrtarë të Agjencisë për krahasimin dhe verifikimin e pronave janë gati për t’i pranuar kopjet në mënyrë elektronike, por vetëm po presin që Serbia t’i sjellë ato përmes BE-së kur të nisë sërish dialogu.

Mungesa e këtyre librave ka shkaktuar probleme të shumta pronësore pothuajse në secilën komunë, duke përjashtuar vetëm atë të Pejës dhe komunat veriore, të cilat kanë shpëtuar pa u plaçkitur .

Deri më tash, kjo marrëveshje është zbatuar vetëm sa i përket regjistrit civil.