SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe zëvendësi i tij në qeveri, Enver Hoxhaj, me deklaratat e fundit të tyre kanë lënë mundësinë e ndërprerjes së dialogut me Serbinë nëse Këshilli i Ministrave të BE-së në muajin dhjetor nuk e vendos në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Haradinaj e Hoxhaj e konsiderojnë të arsyeshme ndërlidhjen e këtyre dy proceseve në qoftë se BE-ja nuk e mban premtimin e dhënë për vizat, shkruan Insajderi.

Sipas Haradinajt, është shumë keq që Kosovës t’i bëhet presion për dialog duke ua mohuar qytetarëve të saj të drejtën për të lëvizur pa viza në Zonën Shengen.

“Do të ishte shumë keq që njërës palë, në këtë rast Kosovës, t’i thuhet të marrë pjesë në dialog e qytetarët e tu nuk kanë të drejtë të lëvizin pa viza. Thaçi është mirë të analizojë vetë se çfarë është duke bërë, a duhet të vazhdojë të shkojë në këto takime kështu apo duhet të pranojë që çdo agjendë e vendit të vet të varet nga disponimi i vendit fqinj”, ka deklaruar Haradinaj në një konferencë për medja ditën e djeshme.

Edhe zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj ka shprehur dyshime nëse duhet t’i besohet BE-së për këtë proces.

“Kosova është angazhuar dhe ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe Bashkimi Evropian ka premtuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës me plotësimin e këtyre kritereve. Por, nëse sot ka hezitim nga disa kryeqytete të BE-së në lidhje me vendimmarrjen në këtë proces, pse duhet që Kosova t’i besojë këtij institucioni në dialogun me Serbinë. Nëse BE dhe shtetet anëtare nuk janë të aftë t’u përmbahen premtimeve që i kanë dhënë vetë, pse duhet të besojmë se mund ta diktojnë vullnetin e Serbisë për ta njohur Kosovën?”, kishte shkruar Hoxhaj në Facebook.