SHPËRNDAJE

Albin Kurti ka folur për takimin me kreun e AKR’së Behgjet Pacolli, që ndodhi paraditen e së martës në hotelin e këtij të fundit.

“Nuk kam se çka i shtoj shumë sqarimit të z. Behgjet Pacolli. Ne kemi pasur bisedime edhe para zgjedhjeve të cilat nuk u patën kurorëzuar ne finale me sukses. Por tash ne i bëjmë ftesë komplet atij koalicioni [LDK-AKR] në mënyrë që në Kosovë ta hapim një kapitull krejtësisht të ri në përputhje me vullnetin e qytetarëve.”, tha Kurti në një konferencë për media.

“Takime të tilla çfarë kanë qenë sot, por jo më aq të rastësishme, në ditët në vijmë do t’i shpeshtojmë”, ka shtuar kandidati i VV’së për Kryeministër, që pasi partia e tij nuk doli e para në zgjedhjet e 11 qershorit, sot ka ardhur me një propozim për krijimin e një blloku politik për krijimin e Qeverisë së re nga partitë humbëse të zgjedhjeve.

Për takim të rastësishëm, pati deklaruar edhe vetë Pacolli, paradite për Gazetën Express. Por, ai kishte thënë se nuk kanë biseduar për ndonjë marrëveshje me VV’në.

“…u takuam rastësisht. Nuk biseduam diçka specifike. Lidhur me koalicionet e mundshme me VV’në, është herët që të diskutojmë. T’i presim njëherë rezultatet”, ka thënë Pacolli.

Nga ana tjetër, ftesa e Albin Kurtit për marrëveshje për krijimin e qeverisë së re, siç ka thënë ai në një konferencë për media, vlen edhe për ata deputetë të koalicionit PDK-AAK-Nisma që nuk duan, siç tha ai, të ketë edhe një tjetër Qeveri të klanit “Pronto”.

“Ne sot ftojmë të gjithë deputetët e koalicionit LDK-AKR dhe ata të AAK-së e Nismës që janë të pakënaqur me klanin Pronto, që të na bashkohen për përgatitje të një qeverie të re për Kosovën”, bëri thirrje Kurti, të martën, nga selia e qendrore e Lëvizjes Vetëvendosje