SHPËRNDAJE

SRF: Kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës?

Albin Kurti: Mendoj se do të jem unë. Pas këtyre zgjedhjeve, ne jemi partia më e madhe në Kosovë dhe i kemi dyfishuar votat tona. Kjo është një fitore kundër një koalicioni me 16 parti dhe një tjetër koalicioni me shtatë parti, kampet e të cilave e kanë humbur forcën. Këtë fundjavë ne kemi shpërndarë një entuziazëm në Kosovë.

SRF: Çfarë do dëshironit të arrini si kryeministër?

Kurti: Sa më parë ta marrim qeverinë, ne do donim të implementojmë 40 prioritetet tona për Kosovën. Kjo përfshinë një fond të pavarur për të financuar rindërtimin e vendit dhe përkrahjen e ekonomisë tonë. Veçanërisht do të zvogëlojmë burimet minerare, të sektorëve të energjisë dhe të bujqësisë.

Ne gjithashtu kemi nevojë për një bankë zhvillimore me norma interesi më të ulëta sesa më parë. Krimi i organizuar dhe korrupsioni i shfrenuar duhet të ndalohen. Nevojiten gjyqtarë dhe prokurorë më të mirë – dhe këtu kemi nevojë për mbështetjen e BE-së.

SRF: Ju vetëquheni nacionalist të majtë. A do të jeni në gjendje që të zgjidhni problemet që vijnë si stuhi në rajon?

Kurti: Ne jemi më të majtë në krahasim me pjesën tjetër të skenës politike, sepse duam të eliminojmë pabarazinë me politikat tonë sociale. Kosova është një vend pa sigurim shëndetësor. Nëse dikush pëson një aksident në autostradë sot, ka sigurim për automjetin, por jo për njerëzit. Në këtë mjedis, ne jemi të majtë radikal, por në të vërtetë jemi vetëm të majtë.

SRF: Për këtë, pra, ju e mbani etiketimin “nacionalist”.

Kurti: Ne nuk e quajmë veten nacionalistë në kuptimin e nacionalizmit ballkanik, i cili lidhet me luftën dhe gjakderdhjen. Ne besojmë, megjithatë, se kombi në politikë është një koncept i rëndësishëm dhe një ide e rëndësishme. Ne nuk mund ta lëmë këtë në duar të së djathtës. Ne nuk do ta kthejmë kombin kundër shoqërisë.

SRF: Si doni të vazhdoni më tej dialogun me Serbinë?

Kurti: Dialogu me Serbinë u ndërpre. Sepse së pari duhet një dialog për dialogun: Si dëshirojmë që të flasim? Në parim nuk jemi kundër bisedave, por ne duhet t’i përmbahemi parimeve.

Në të njëjtën kohë, ne duam të fillojmë bisedimet me serbët e Kosovës, jo vetëm si serbë, por në rolin e tyre shoqëror si mjekë, studentë, shoferë të taksive, të papunë, burra dhe gra. Sepse jo të gjithë serbët janë të barabartë, ashtu sikurse jo të gjithë shqiptarët janë njësoj të barabartë.

Ne duam të bashkëpunojmë me serbët në një dialog për zhvillim. Një qasje nga poshtë, lart. Në këtë mënyrë, fermerët nga të gjitha grupet e popullsisë duhet të diskutojnë se si të përdorin më mirë tokat. Ne duhet të mbajmë bisedime për të folur më shumë rreth zhvillimit dhe të ardhmes tonë, sesa për historinë dhe pajtimin.

SRF: Në Beograd, president është Aleksandar Vuçiç – gjithashtu i mbështetur nga BE-ja. Ju  keni për të biseduar me të.

Kurti:Serbia po luan një lojë të dyfishtë me BE-në dhe Rusinë.  Unë mendoj se Serbia duhet të bashkohet me BE-në dhe ndoshta edhe me NATO-n. Por, Serbia duhet ta përfundojë këtë lojë të dyfishtë. Ata duhet të merren me të kaluarën e tyre. Ata nuk kanë keqardhje për krimet e së kaluarës.

Është e rëndësishme që Z. Vuçiç ta trajtojë këtë çështje. Nuk mjafton kur thotë: ‘Unë nuk jam më Vuçiqi i vitit 1998’. Në atë kohë ai ishte Ministër i Informacionit nën regjimin e Milosheviqit.

SRF: Së shpejti do të ngriten aktakuzat e para nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë për shkak të krimeve të luftës të supozuara që janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). A e mbështesni punën e kësaj gjykate?

Kurti: Gjykatat e Kosovës duhet të merren me këto çështje. Ne jemi një vend i pavarur dhe kemi nevojë për ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Por unë nuk besoj se bashkësia ndërkombëtare duhet të na zëvendësojë neve në vendin tonë.

Edhe më e rëndësishme se krimet e luftës janë “krimet e paqes”, në sferën ekonomike. OKB, BE dhe gjithashtu Tribunali i Hagës kanë trajtuar më parë krimet e luftës. Pra, tri gjykata ndërkombëtare kanë trajtuar këto raste, nuk besoj se një gjykatë e katërt sjell ndonjë gjë të re.

SRF: Por ju do të vazhdoni të jeni në një kurs konfrontimi.

Kurti: Sigurisht, ne do të kërkojmë dialogun. Por unë duhet të pranoj se të gjithë gjyqtarët ndërkombëtarë kanë qenë më të interesuar në stabilitetin politik sesa në drejtësi për popullin. Ne kemi nevojë për mbështetjen e BE-së, por nuk kemi nevojë për prokurorë të huaj që mbeten për vetëm një apo dy vjet. Ne vetë duhet të jemi bartës dhe iniciatorë të drejtësisë për njerëzit këtu [në Kosovë v.j]. Drejtësia nuk mund të importohet, vetëm drejtësia lokale duhet të mbështetet.

SRF: Çfarë prisni nga Zvicra dhe diaspora e madhe kosovare në Zvicër?

Kurti: Zvicra ka qenë përkrahëse e madhe e Kosovës: nga njëra anë, si një strehë para dhe gjatë luftës, nga ana tjetër, Micheline Calmy-Rey ishte ministrja e parë e Jashtme e bashkësisë ndërkombëtare që deklaroi pavarësinë e Kosovës. Ne kurrë nuk do ta harrojmë këtë. Tani bëhet fjalë për faktin se ka më pak njerëz që emigrojnë nga Kosova në Zvicër. Përveç kësaj, më shumë investime të diasporës nga Zvicra duhet të bëhen në Kosovë.

Kosovarët në Zvicër punojnë shumë, shumë prej tyre janë biznesmenë të suksesshëm. Ata mund të formojnë një urë të fortë të bashkëpunimit ekonomik midis Zvicrës dhe Kosovës.