SHPËRNDAJE

Kuvendi Komunal i Prishtinës në mbledhjen e sotme do të diskutojë për xhaminë e re në lokacionin afër Postës në Prishtinë.

Kundër planit të kësaj xhamie janë në Komunë të Prishtinës, një pjesë e shoqërisë civile dhe tashmë është lansuar edhe një peticion online.

Në Bashkësinë Islame e kritikojnë kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe drejtorin e Urbanizmit, Liburn Aliu, se po e zvarrisin pa asnjë arsye vendimin për dhënien e lejes për ndërtimin e xhamisë kryesore në Prishtinë.

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se nëse Komuna e Prishtinës nuk i kthen përgjigje për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në lagjen Dardania, atëherë ai do të fillojë ndërtimin e saj pa leje të komunës.

Drejtori i Urbanizmit në komunën e Prishtinës, Liburn Aliu, ka treguar se deri më tani komuna nuk ka dhënë leje për shkak të kërkesave shtesë të BIK’ut, që objekti i xhamisë të shoqërohet edhe me lokale të tjera.

Lirak Çelaj, që përfaqëson PDK-në në Komunën e Prishtinës, gjithashtu ka fajësuar drejtuesit e komunës për politizimin e qëllimshëm të kësaj çështjeje, duke i ftuar ata që ta zhbllokojnë situatën pa humbur kohe.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut, në anën tjetër, me anë të një komunikate për media ka vlerësuar se “në Kosovë janë duke u zbatuar standarde të dyfishta në lidhje me fushën e lirive fetare”.

Ky reagim i KMDLNJ-së vjen pas inicimit të një peticioni që kundërshton ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë si dhe mos dhënia e lejes për ndërtim.

KMDLNj përmend ndërtimin e Katedrales në vend të shkollës ku ishte, kisha në Llapushnik si dhe Patrikana e Pejës që ia ka devijuar edhe rrjedhën e lumit.

Një grup i shoqërisë civile kanë nënshkruar një peticion drejtuar Komunës së Prishtinës dhe BIK-ut, përmes të cilit ata pretendojnë se plani aktual i xhamisë nuk përkon me planin urbanistik të zonës.

Një kërkesë për ndalimin e procesit të dhënies së lejes për objektin fetar në lagjen Dardania, drejtuar Bashkësisë Islame të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe Këshilltarëve të Kuvendit Komunal në Prishtinë, tani ka dalë edhe online.

Siç mund të shihet në këtë peticion online, janë 1,124 persona që e kanë nënshkruar deri tani./arbresh.info/