SHPËRNDAJE

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, 250 persona kërkojnë ndihmën e mjekut vetëm brenda një dite, për shkak të temperaturave të larta të cilat po mbretërojnë në Kosovë.Ata që më së shumti pësojnë nga këto temperatura janë personat e moshuar, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.

Temperaturat gjatë gjithë javës do të jenë të larta, deri në 39 gradë.

Doktoresha në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Vjollca Zeqiri, thotë se këto ditë ka shtim të pacientëve me barkqitje dhe me të vjella.

Më tej, Zeqiri ka treguar se intervenimi i menjëhershëm mjekësor duhet të bëhet kryesisht tek pacientët e goditur nga temperaturat e larta, sepse në rast të mos intervenimit me kohë pacienti mund të përfundojë me fatalitet.

Simptomat se një person është goditur nga dielli, janë: ngritja e shpejtë e temperaturës së trupit, lëkura e skuqur dhe e thatë, pulsi më i shpejtë dhe më i fortë, humbja e vetëdijes.

Ngritja e temperaturave paraqet rrezik të lartë për pacientët që kanë probleme me zemër. Kardiologu Imri Jashari u rekomandon personave që kanë probleme të tilla që t’i shmangen ekspozimit në diell, kur temperaturat kalojnë mbi 30 gradë Celsius.
Në këto ditë të nxehta dhe me vapë tropikale është e rëndësishme edhe kujdesi gjatë ushqimit. Vajza e re nga Prishtina, me emrin Eneida, tregon se është helmuar në ushqim, andaj i është dashur të kërkojnë ndihmë në QKMF.