SHPËRNDAJE

Lëvizjet brenda koalicionit LAA drejt PAN-it i mohon nënkryetarja e Aleancës Kosova e Re, Albena Reshitaj, e cila hedh poshtë çdo mundësi të përçarjes brenda LAA-së.

“Unë nuk po vërej që ka ndonjë përçarje, as deputetë që individualisht duan ta përkrahin ndonjë parti tjetër. Asgjë konkrete nuk ka, nuk është diskutuar, as nuk ka pasur sinjal prej asnjë kandidati për deputet që ka interes për të dalë. Momentalisht jemi fokusuar në certifikimin e rezultateve dhe me atë po merremi”, ka deklaruar Reshitaj.

Edhe kandidati për deputet nga Alternativa, Ilir Deda, ka thënë se blloku i krijuar mes LDK-së, AKR-së dhe Alternativës nuk ka gjasë të prishet. “Nuk ka asnjë mundësi për përçarje të koalicionit LDK-AKR-Alternativa”, ka thënë Deda, i cili thekson se posa KQZ-ja t’i certifikojë rezultatet LAA-ja do të dalë me një qëndrim për hapat e ardhshëm.

“Menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve do të takohemi dhe do të marrim qëndrim të përbashkët rreth hapave të ardhshëm”, ka deklaruar Deda.

Më tej ai rithekson se vijat e kuqe me PDK-në nuk do të largohen. “Ajo që është më rëndësi të ceket është se nuk do të ketë qeverisje me PDK-në”, ka përfunduar Deda.