SHPËRNDAJE

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëkohësisht ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka hedhur dyshimet lidhur me analizat që Qeveria Haradinaj ka bërë për rritjen e taksës prej 100% ndaj produkteve serbe.

Ai ka thënë se fillimisht çështja e taksës nuk është diskutuar ende në strukturat e LDK-së por ka thënë se ai personalisht e konsideron si një vendim populist.

“Po ne këtë çështje nuk e kemi diskutuar në këshill të Përgjithshëm të LDK-së, prandaj nuk mund ta them qëndrimin e LDK-së, por sa i takon vendimit të Qeverisë unë vet e konsideroj se është populistë është një vendim i cili në një formë është përkrah nga qytetarët e Kosovës për shkak të veprimeve të Serbisë që i ka bërë dhe po i bënë në dëm të ekonomisë së Kosovës dhe të sovranitetit të shtetit të Kosovës”, ka thënë Mustafa në konferencë për media, raporton Insajderi.

Mustafa ka thënë se një vendim të tillë Serbia e ka merituar dhe meriton edhe vendime të tjera të cilat janë suaza të marrëveshjeve që Kosova ka arritur me Bashkimin Evropian.

“Sa i takon Serbisë, ajo e ka merituar një vendim të tillë si dhe meriton edhe shumë vendime të tjera, mirëpo konsiderojmë që të gjitha vendimet që merren të matën dhe të jenë të koordinuara dhe të bashkërenditura në suaza të marrëveshjeve me BE-në”, ka deklaruar ai.

Më tej Mustafa ka thënë se Qeveria Haradinaj nuk e ka analizuar mirë konsekuencat e vendimit për rritjen e taksës prej 100%. Ka thënë se vendimi është bërë në bazë të emocioneve pas dështimit për t’u anëtarësuar në Interpol.

“Sa i përket konsekuencave të këtij vendimi tek qytetarët unë mendoj se Qeveria duhet të jap informata se si ka llogaritur që t’i përballojë këto sekuenca themi tek bizneset, tek qytetarët, tek rritja e çmimeve, tek problemi e importimit përmes territorit të Serbisë, sepse nëse ne i dëgjojmë deklaratat e zyrtarëve që përfaqësojnë Qeverinë ata thonë se vendimi është marrë pasi është analizuar, por disa informata tjera thonë se dikush ka thënë 30%, dikush tjetër 40% dikush tjetër 100%, dmth rritja nuk është bërë në bazë të analizës, por në bazë emocioneve se ata na kanë penguar në Interpol dhe tash duhet me ua kthyer në këtë mënyrë”, ka deklaruar Mustafa.