SHPËRNDAJE

Nëse jeni kureshtarë të dini se çfarë është më e mira e më e reja në botën e lojërave digjitale, atëherë Gamescom është vendi i duhur për të marrë përgjigjet.

Panairi i videove dhe lojërave digjitale në Këln hapi dyert e tij për kancelaren Angela Merkel të martën, një ditë para se t’i hapë edhe për publikun e gjerë. Kancelarja përdori fjalimin e saj për të vlerësuar industrinë e lojërave si shtyllë të ekonomisë gjermane.“Me më shumë se 500 kompani, industria e lojërave është një shtyllë e fortë e Gjermanisë, si një vend i inovacionit. Ajo punëson 29 mijë njerëz dhe në gjysmën e parë të 2017-tës të ardhurat nga kjo industri arritën në miliarda”, u shpreh ajo.

Loja është tema e edicionit të nëntë të panairit, me mbi 900 prodhues që janë grupuar në ambiente të ndryshme në një sipërfaqe prej 201 metrash katrorë.

Vizitorët do të lejohen të testojnë teknologjitë e fundit e do kenë mundësinë të diskutojnë për to me lojtarë të tjerë. Sony do të prezantojë një palë syze për lojërat virtuale në Playstation 4. Lojëra të tilla si Resident Evil 7, Gran Turismo Sport apo Bravo Team i transportojnë lojëtarët në një botë virtuale.

Të apasionuarit pas lojërave digjitale do të mund të provojnë edhe Xbox One X që sipas prodhueseve është 40 përqind më e fuqishme e cilësore se sa pajisjet e tjera të lojërave elektronike në treg./TCh/