SHPËRNDAJE

“Mos më lini vetëm me presidentin!” Është kjo ajo që ish-drejtori i FBI James Comey i ka kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions në shkurt, pas një takimi privat me presidentin Trump.

Lajmi është publikuar së fundmi në mediat amerikane, të cilat raportojnë se Comey i ka cilësuar takimet private mes tij dhe presidentit republikan si të papërshtatshme.

Në takimin e zhvilluar në shkurt, Trump i kërkoi Comeyt të përfundonte hetimin mbi ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare Michael Flynn.

Mediat gjithashtu raportojnë se Comey i ka kërkuar prokurorit të përgjithshëm ta mbrojë FBI’në nga ndikimi i Shtëpisë së Bardhë.

Aktualisht, as Prokurori i Përgjithshëm Sessions nuk duket të ketë një marrëdhënie të mirë me presidentin Trump.

Ai e ka mënjanuar veten nga çdo përfshirje në hetimin mbi Rusinë, ndërkohë që i ka paraqitur presidentit edhe kërkesën për dorëheqje, gjë që është refuzuar nga Trump.

Ish-drejtori James Comey do të dëshmojë në Capitol Hill ditën e enjte lidhur me bisedat e tij me presidentin Trump.

Kjo do të jetë hera e parë që ai flet publikisht për këtë temë. Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se arsyeja për heqjen nga puna të Comey ishte mënyra si ai trajtoi hetimin e emaileve të ish-kandidates Hillary Clinton.

Ndërkohë presidenti Trump është shprehur se shkarkimi i ish-shefit të FBI’së ka ardhur si pasojë e punës jo të mirë që ai po bënte në drejtimin e byrosë investigative.