SHPËRNDAJE

Auditori i përgjithshëm ka gjetur disa shkelje në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), ku përfshihen të dhënat nga QKUK’ja dhe spitalet rajonale.

Njëra nga problemet kyçe në këtë institucion po del të jetë mangësia në menaxhimin e kujdestarive, ku auditori ka gjetur se mjekët manipulojnë me orët e ndërrimeve të natës.

Disa nga parregullsitë që janë gjetur janë: zëvendësimet ndërmjet stafit për mbajtjen e orëve të natës në mungesë të evidencave, drejtorët e klinikave-reparteve caktojnë dhe aprovojnë vetveten për kujdestari etj.

Janë nëntë raste të tilla të evidentuara, në QKUK dhe disa spitale rajonale, ku kujdestaritë ishin kompensuar me 1 mijë e 800 euro në mungesë të dëshmive, pasi njëri prej stafit ishte nënshkruar për të gjithë.

“Kontrata Kolektive Sektoriale (KKS) është dokument unik i cili shpjegon mënyrën e përllogaritjes së kompensimit për kujdestaritë. Ne kemi evidentuar disa mangësi që ndërlidhen me menaxhimin e kujdestarive-ndërrimeve të natës. Disa nga parregullsitë, që janë të shprehura pothuajse në të gjitha njësitë e ShSKUK’së janë: mospërputhja e planifikimeve dhe kujdestarive të realizuara, zëvendësimet në mes të stafit shëndetësorë për mbajtjen e kujdestarive-ndërrimeve të natës në mungesë të evidencave, drejtorët e klinikave-reparteve caktojnë dhe aprovojnë kujdestaritë për vetveten. Në nëntë (9) raste (dy (2) në QKUK, katër (4) në Spitalin e Prizrenit dhe tri (3) në Spitalin e Gjilanit) kujdestaritë e natës ishin kompensuar rreth 1,800€, në mungesë të dëshmive për mbajtjen e tyre. Kjo ngase, në ditarët e kujdestarive, njëri nga stafi mjekësor ishte nënshkruar për të gjithë. Mangësitë e evidentuara kanë ndodhur për shkak të mungesës së kontrollit efektiv nga ana e drejtorëve të klinikave dhe reparteve dhe si pasojë e mos respektimit të KKS-së lidhur me mbajtjen dhe kompensimin e kujdestarive-ndërrimeve të natës”, thuhet në Raportin e Auditorit.

Problem tjetër i theksuar është se disa pozita kryesore në këto institucione mbahen apo drejtohen nga Ushtruesit e Detyrës. Kjo praktikë vërehet sidomos në QKUK ku në 144 pozita udhëheqëse, ka ushtrues detyre.

“Një numër i madh i pozitave udhëheqëse janë të mbuluara me Ushtrues Detyre (UD). Kjo praktikë është e përhapur sidomos në QKUK, ku 144 pozita udhëheqëse mbahen me UD. Derisa të njësitë tjera ekziston një numër me i vogël i tyre. Te Spitalet e Përgjithshme tetë (8) raste dhe të Qendra Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (QKSUK) dy (2) raste. Duhet theksuar se QKUK ka inicuar procedurat për plotësimin e këtyre pozitave me staf të rregullt”, ka gjetur auditori.

Në gjetjet e këtij viti është theksuar edhe çështja e avancimeve pa procedura konkurruese.