SHPËRNDAJE

Disa nga ish-krerët e LLapit, po vazhdojnë të jenë në Hagë.

Mbrojtja e Kadri Veselit në Hagë, e përfaqësuar nga avokati me përvojë të madhe, Ben Emmerson, me argumente të forta ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Prokurorisë Speciale për mbajtjen në paraburgim të ish-kreut të Kuvendit të Kosovës.

Përgjigjen e tij, që ka 24 faqe dhe 7 anekse të bashkangjitura me dëshmi, Emmerson, me argumente precize, e ka dorëzuar në Gjykatë dhe ka kërkuar lirimin e klientit të tij Kadri Veseli.

 

Emmerson ka thënë se Prokuroria nuk ka prezentuar asnjë argument të qëndrueshëm që ta dëshmojë faktin se nëse Veseli lirohet, ai mund të ndërhyjë te dëshmitarët e mundshëm.

Avokati i Veselit tutje ka rrëzuar teorinë e Prokurorisë, e cila pretendon se Veseli në rast lirimit mund të arratiset, duke përdorur lidhjet e tij. Në parashtresat e tij, Emmerson ka thënë se po të kishte qëllime të tilla, Veseli mund të arratisej qysh pas 20 qershorit, në datën kur Prokuroria e Specializuar lëshoi komunikatën e famshme që më vonë u cilësua si politike dhe skandaloze për një institucion të drejtësisë ndërkombëtare.

“Nëse ai do të ikte, ajo ishte koha për t’i përdorur lidhjet e tij, kur ai nuk ishte subjekt i ndonjë kufizimi në lirinë e tij të lëvizjes, dhe mund të ishte arratisur në një vend pa marrëveshje ekstradimi me Kosovën.

Fakti që ai nuk përdori lidhjet e tij atëherë për t’iu shmangur drejtësisë, është prova më e mirë e mundshme që ai nuk do ta bënte këtë nëse do të lirohej përkohësisht, në kushte të rrepta të zbatuara nga Shërbimi Policor i Kosovës”, thuhet në argumentet e avokatit Emmerson. Emmerson ka kundërshtuar edhe argumentin tjetër të Prokurorisë që thotë se Veseli mund të shkojë në rreth 180 vende të cilat s’kanë marrëveshje ekstradimi me Kosovën. Avokati thotë se fakti që Veseli është treguar i gatshëm ta dorëzojë pasaportën e tij, e zhduk rrezikun e arratisjes së Veselit, pasi që i njëjti s’do të ketë mundësi udhëtimi.

Avokati i Veselit tutje ka përmendur faktin se Veseli ishte ndër të parët që kishte folur kundër tentativave të vitit 2017 për zhbërjen e Speciales, dhe kjo, sipas tij, është fakt se ish-kreu i Kuvendit nuk ka tendenca të bojkotojë punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Nuk ka asnjë bazë provuese për vënien e përgjegjësisë ndaj Z. Veseli për vitin 2017 dhe përpjekjet për të shfuqizuar Gjykatën Speciale.

Të dhënat flasin vetë. Ai e kundërshtoi atë tentativë publikisht dhe në terma të fortë. Veseli këshilloi në mënyrë aktive anëtarët e partisë së tij që të ishin realistë dhe të braktisnin këto veprime. Kishte 43 nënshkrues në listë (shih aplikimin për lirimin e përkohshëm në Shtojcën 2). Siç do të jetë e dukshme, më pak se gjysma e nënshkruesve ishin anëtarë të PDK-së”, thuhet tutje në argumentet e avokatit Emmerson. Për më tepër, avokati ka përmendur edhe faktin se ish ambasadori amerikan, Greg Delawie, në një deklaratë u ishte referuar liderëve politikë (pa emra) që po udhëhiqnin iniciativën për shfuqizimin e Gjyaktës Speciale, pavarësisht mohimit të tyre, por nuk e ka pasur në mendje Kadri Veselin.

Sepse, siç ka rikujtuar avokati, Delawie e kishte lavdëruar Veselin për kundërshtimin e tij ndaj kësaj nisme përmes një “tweet-i’. “Postimi i ambasadori amerikan në Twitter më 17 janar 2018 i referohet liderëve politikë (pa emra) të cilët po udhëhiqnin iniciativën përkundër mohimeve të tyre. Duke pasë parasysh kohën, kjo nuk i referohet zotit Veseli, pasi që ambasadori më herët e kishte veçuar zotin Veseli duke e lavdëruar për kundërshtimin publik që i kishte bërë kësaj iniciative rreth dy javë më herët, më 9 janar 2018”, ka thënë tutje Emmerson.

Emmerson ua ka rikujtuar Dhomave të Specializuara faktin se Veseli nuk është përfshirë aspak në çështjen e publikimit të dosjeve konfidenciale nga Organizata e Veteranëve të Luftës. Për më tepër, Emmerson ka akuzuar Prokurorinë se po do të “nxjerrë diçka nga asgjë”, duke mos i gjetur dhe ndëshkuar ata që vërtet janë përgjegjës për nxjerrjen e këtyre dokumenteve.

Përveç të lartëpërmendurave, avokati Emmerson ka renditur gjithësej 73 pika kundër-argumentet tjera ndaj Prokurorisë së Specializuar. Përveç parashtresave të shkruara, Emmerson ka bashkëngjitur edhe shtatë anekse, si prova materiale që mbështesin argumentet e tij. Në këtë formë, avokati i Kadri Veselit ka kërkuar, po ashtu, se në rast të dyshimit rreth argumenteve të tij, të thirret një seancë dëgjimore, në mënyrë që personat e apostrofuar në anekset e veçanta të mund të dëshmojnë vetë për argumentet e përdorura nga mbrojtja e Veselit për lirimin e tij nga burgu.