SHPËRNDAJE

Mediat në Serbi i kanë kushtuar vëmendje të madhe stilit të veshjes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Kështu, gazeta serbe “Blic”, shkruan se Rama nuk heq dorë nga stili rastësor i veshjes, kështu që edhe në panelin rreth shoqërisë civile në kuadër të Samitit të Iniciativës së Berlinit që po mbahet në Vjenë, kishte ardhur në atlete të bardha dhe kostum të zi, por nuk kishte munguar as kravata.

Stili i veshjes i Ramës shihet edhe në fillim të videos të cilën ai e ka postuar në profilin e tij në Facebook. Kështu, kryeministri shqiptar edhe para fillimit të Forumit dhe asaj se çfarë ka të thotë rreth temës së marrëdhënieve mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, ka arritur të tërheq vëmendjen e gazetarëve me veshjen e tij.

Siç potencon “Blic”, kjo nuk është hera e parë që Rama vishet në këtë mënyrë, pasi ngjashëm ishte edhe në takimin kohë më parë në Bruksel me shefen e diplomacisë evropiane, Frederika Mogherini.

Ai në atë takim të liderëve të Ballkanit Perëndimor, të cilin e kishte organizuar Mogherini, kishte arritur në atlete, një xhaketë me ngjyrë të kaltër dhe një bluzë të printuar, çka e kishin bërë paraqitjen e tij rastësore dhe të thjeshtë.

Rama edhe nga mediat dhe shoqëria civile në Shqipëri shpesh është kritikuar për veshjen e tij, por duket se asnjëra prej tyre nuk ka ndikuar në vendimin e tij rreth veshjes dhe vazhdon me stilin që e pëlqen.