SHPËRNDAJE

Mërgata është “infuzioni” që i mbanë gjallë kosovarët.

Ismail Rrustaj nga Komuna e Klinës, që jeton në Prishtinë, qe tre vjet me radhë pranon para nga djali i tij 21-vjeçar, që jeton në shtetin e Italisë. Ai ndërkaq thotë se gjatë vitit të kaluar, djali i ka dërguar më shumë para për shkak të gjendjes së krijuar në Kosovë nga pandemia e koronavirusit.

Rrustaj, mbi të 50-tat, ka edhe tre fëmijë të tjerë. Dy vajzat dhe një djalë kanë të përfunduar fakultete të ndryshme në Universitetin e Prishtinës, por siç thotë ai, nuk kanë ndonjë punë të qëndrueshme. Djali që ka përfunduar Fakultetin Juridik punon kamerier në një restorant, kurse dy vajzat në qendra tregtare.

Me gjithë faktin që në familje marrin tri paga në muaj, Rrustaj thotë se po mos të ishte ndihma financiare nga djali që jeton në Itali, nuk do të arrinte të mbulonte shpenzimet e nevojshme për jetë.

“Djali im është 21 vjeç, më dërgon në muaj nga 500 deri në 1.000 euro. Mos të ishte djali jashtë Kosovës, nuk e di se si do mund të jetoja. Me paratë që dërgon, paguaj qiranë, rrymën, obligimet komunale, ushqim etj”, tha Rrustaj për Radion Evropa e Lirë.

Rrustaj jeton në një banesë me qira në një nga lagjet e Prishtinës. Nga fshati i tij, ai u shpërngul në kryeqytet, për shkak të studimeve të fëmijëve. Por, me pagat e fëmijëve që punojnë në sektorin privat në Kosovë, ai thotë se nuk do të kishin mundësi që të përballonin jetesën në Prishtinë.

“Në Prishtinë nuk do kishim mundësi të jetonim me pagat e fëmijëve. Në fshat po, ia kishim dalë disi, ndoshta…” , thotë Rrustaj.

Jo vetëm djali i Ismail Rrustajt ka dërguar mjete në Kosovë. Vlera e përgjithshme e parave të qytetarëve me prejardhje nga Kosova, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, nga muaji janar deri në muajin nëntor të vitit të kaluar, ka arritur në rreth 900 milionë euro.

Vlerat më të larta, sipas Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, kanë qenë në muajin maj me 104 milionë euro dhe në muajin tetor të vitit 2020, me 99.4 milionë euro.

Kurse në vitin 2019 shuma e remitencave ka qenë 851 milionë euro.

Lirim Krasniqi, hulumtues dhe analist i politikave në organizatën “Germin”, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë për Radion Evropa e Lirë se remitencat përgjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.

“Këto mjete luajnë një element të rëndësishëm të mirëmbajtjes së ekonomisë së Kosovës, por edhe ruajtjes së paqes sociale, pasi remitencat përbëjnë 15 për qind të Bruto Produktit Vendor. Përveç remitencave, diaspora dërgon para edhe përmes kanaleve tjera joformale”, thekson Krasniqi.

Krasniqi thotë se shumica e mjeteve financiare të dërguara nga qytetarët e Kosovës, që jetojnë në vende të ndryshme të botës, shpenzohen për konsum.

“Dhe fatkeqësia e kësaj është se këto mjete, prapë dalin jashtë Kosovës, pasi shumica e produkteve të konsumit ditor importohen në Kosovë nga shtete të ndryshme”, shton ai.

Përveç remitencave, qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës, kanë dërguar mjete edhe në buxhetin e Kosovës në mënyrë që të ndihmojë Qeverinë e Kosovës për ta luftuar pandeminë COVID- 19.

Mbi 717 mijë euro janë grumbulluar nga ndihmat e ardhura nga diaspora, tha për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili.

“Nga këto mjete, 667 mijë euro janë pranime nga qytetarë që jetojnë jashtë Kosovës, kurse mbi 50 mijë euro janë pranime nga qytetarë brenda vendit”, tha ai.

Deri më tani, 511 mijë euro janë alokuar në Fondin për Menaxhimin e COVID-19, të Ministrisë së Shëndetësisë, në kategorinë e shpenzimeve kapitale. Kurse, 206 mijë euro të tjera janë bartur në buxhetin për vitin 2021, të cilat, thotë Ismaili, do shpenzohen vetëm për menaxhimin e pandemisë.

Ndihma nga diaspora ka ardhur pas thirrjes që u ka bërë qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 prill të vitit të kaluar, vetëm një muaj pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus.

Po gjatë vitit të kaluar, kur në Kosovë ishin në fuqi masat kufizuese të lëvizjes, qytetarë nga diaspora përmes aksione të ndryshme, kanë ndihmuar me pako ushqimore familje me kushte të rënda ekonomike, thonë nga organizata “Germin”.

Kurse në institucionet shëndetësore të Kosovës kanë sjellë 15 mijë teste dhe gjysmë milioni maska për qytetarët, si dhe veshje mbrojtëse kundër COVID-19.