SHPËRNDAJE

Menjëherë pas ditës së zgjedhjeve, nisën deklaratat për numrat. Madje, numrat u bën histori që e përcollën skenën politike për gati 3 muaj.

Por, në të vërtetë, ani pse kishte deklarata me bollëk, numrat nuk i kishte asnjëra palë. Kjo u mësua në ditën e konstituimit të Kuvendit pasi u desht të votohej për një kërkesë të PAN’it për shtyerje të seancës. 60 vota ishin që seanca të shtyhej, ashtu siç kërkonte PAN’i, e po ashtu 60 ishin në anën tjetër.

Historia vazhdoi deri në sigurim të numrave. Seanca nuk thirrej, ndërkohë që takimet për t’u siguruar ata vazhdonin. Java e fundit ishte vendimtarja për të mbyllur ‘muajt e numrave’. Behgjet Pacolli u bë faktori që zgjidhi krizën. Ai u takua disa herë me PAN’in për t’u bindur të largohet nga LDK’ja, të cilën gjë e bëri vetëm ditën e djeshme. Po ashtu dje nënshkroi menjëherë me PAN’in, duke i dhënë kështu fund ‘historisë së numrave’ dhe duke nisur në të njëjtën kohë ‘historinë e posteve’, shkruan gazetametro.net.

E, për këtë të fundit, Pacolli u tregua mjaft i zoti. Me 4 deputetë që ka në parlament, ai arriti t’ia marr PAN’it gati gjysmën e Qeverisë, e madje mori edhe disa premtime për më vonë.

Presidenti i AKR’së mori 5 ministri, zëvendëskryeministrin e parë, 7 zëvendësministra dhe premtimin për postin e presidentit pas 4 vitesh.

‘Gjahu’ i Pacollit për marrje të ministrive, ka lënë mjaft ngushtë partitë e tjera. Madje, PDK’ja me 20 deputetë, thuhet se do ketë numër të njëjtë të ministrive me AKR’në. Një numër të ngjashëm të ministrive pritet ta marrë edhe partneri tjetër i koalicionit, Nisma për Kosovën, e cila pritet të udhëheq me 4 ose 5 ministri. 2 ministra do të jenë nga komunitetet, e po ashtu ‘Listës Rugova’ do t’i shpërblehet ndërmjetësimi me një ministri.

AAK’ja si duket do të mbetesh ngusht me postet. Posti i kryeministrit i ka kushtuar partisë së Haradinajt, pasi ajo do të ketë numrin më të vogël të ministrive nga partitë shqiptare në këtë koalicion. AAK’ja mësohet se do të udhëheq vetëm me 3 ministri.

Sido që të jetë, akoma nuk është diskutuar për emrat që do të jenë në krye të posteve të larta politike, mirëpo bashkimi i 4 partive shqiptare, një liste dhe komuniteteve, mendohet se do të prodhojë një qeveri mjaft të madhe për nga numri i posteve.