SHPËRNDAJE

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Adem Mikullovci, thotë se nuk do të thërrasë seanca të Kuvendit pa u marrë vesh mes vete drejtuesit e partive politike.

Sipas tij, pas seancës të së enjtes, të cilën e kishte caktuar me kërkesë të koalicionit PAN dhe të cilët dje nuk ishin në gjendje ta propozojnë kandidatin për kryeparlamentar, qytetarët po e shohin qartë se kush po e bllokon shtetin.

Këto komente Mikullovci i ka bërë gjatë një bisede të shkurtër për gazetën “Zëri”.

“Qytetarët e Kosovës në këtë seancë e panë se kush janë ata që po e bllokojnë shtetin. Ata njerëz nuk janë të gatshëm ta dorëzojnë shtetin, të cilin e kanë uzurpuar qe 18 vjet. Ata nuk kanë forcë ta bëjnë një gjë të tillë, por nuk i kanë as numrat në Kuvend”, tha Mikullovci.

Ky i fundit thotë se seancën e radhës të Kuvendit do ta thërrasë kur të merren vesh lëvizja “Vetëvendosje” me LDK-në.

“Unë do të pres se si do të merren vesh partitë mes veti. I thash Albinit dhe koalicionit LAA merruni ju vesh, bëni çfarë të doni. Atë moment që më njoftoni, unë e thërras seancën e radhës. Nuk e thërras seancën vetëm kur të më thotë ‘Vetëvendosja’, por kur të thotë edhe LDK-ja”, tha deputeti i “Vetëvendosjes”.