SHPËRNDAJE

Rreth modelit të ri qeverisës

Po flasin për kapje e ç’kapje sikur shteti të jetë mjet në dorën e tyre, për koncepte si deklarata boshe, askush nuk po ndalet te shkëputja nga kjo gjendje dhe mënyra e transformimit.

Kushdo që e njeh mirë Kosovën dhe realitetin e saj, e din se në Kosovë sistematikisht në gjitha nivelet, në gjitha dimensionet dhe në gjitha periudhat ka ndodhur degradim ashtu sikurse ka edhe suksese.

Kosova fillimisht ka trashëguar një administratë të përjashtuar padrejtësisht ne vitet e 90ta, në periudhën kur janë promovuar dhe dalë në pah parimet e qeverisjes së mirë. Cila do të ishte zgjidhja për ta, përveç se kthimit në vendin e punës ku ju morr padrejtësisht. Në atë kohë ata ishin heronjtë tanë, refuzuan sistemin dhe ndërtuan sistem paralel në shëndetësi, në arsim dhe të gjitha sferat e jetës.

Po pas çlirimit, kush e rekrutoi korpusin më të madh të punonjësve në komuna, në institucione qendrore e agjencione të pavarura? Dihet mirë se një gardë fitonte, të tjerët përjashtoheshin. Dhe kjo vazhdueshëm si riciklim po kthehej me gardën tjetër të përjashtuar.

Është e qartë se në Kosovë meritokracia e konkursit ka vdekur që moti; nepotizmi, klientelizmi dhe politizimi ishin format më të mëdha të instalimit të administratës.

Por a është zgjidhja që në emër te ç’kapjes ta bëjmë rikapjen ne borde, agjencione, ne te gjitha strukturat te varura e te pavarura?

Po kontratat mbi vepër me shumicë e në shumë institucione a e prodhojnë zgjidhjen e ç’kapjes?

Po lufta për borde a mos na qenka zgjidhje për një profesionalizëm të madh?

Po korpusi i mjekëve dhe arsimtarëve që sillen fushatash, a nuk qenka prodhim i të gjithëve?

Po prurjet me tepri të militantëve nga të gjitha anët në qendër për të fuqizuar rrjetin, mos na qenka reformë?

– Jam i bindur se jo. E dini edhe ju të dashur qytetarë.

Pra, në kapje e rikapje, në kontrata e politika të coptëzuara kemi hise të gjithë. E hisja është në proporcion me fuqinë politike. Pra, kjo thjesht ishte garë se kush më shumë ka arritur të bëjë kapje.

Përfundimisht c’kapja nuk bëhet me deklarata. Ajo është reformë e thellë dhe sistematike. Ajo kërkon dinamizëm, veprim dhe përpjekje të mëdha ligjore dhe profesionale.

A mos ka dëgjuar kush nga ju të flet dikush për reformën? Në momentin kur kryeministri Haradinaj premton dinamizëm në qeverisje, ata me deklarata flasin për parimet e shërbimit civil.

Jetojmë këtu, jetojmë bashke, e njohim mirë njëri-tjetrin. Në korpusin e administratëd ka njerëz të mire, të ndershëm dhe punëtorë, ashtu sikur se ka dembelë, të korruptuar e të padijshëm. Kjo është tabloja jonë, kjo është pasqyra e Kosovës. Kush thotë ndryshe, hedh hi syve.

Andaj, kërkohet të ndodh një shkëputje e madhe, të ndalet trendi i degradimit, të fillohet një reformë e thellë sistematike për ti dhënë merita meritorëve, për t’i shtuar fuqinë profesionale administratës, për t’i dhënë përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë shërbyesit dhe për ta kthyer administratën në frymën e emrit, në shërbim dhe vetëm shërbim të publikut.

Por, nuk mund të kalojë këtu edhe pa i përmendur përpjekjet. Nga 14,000 tituj në administratë, janë tani 3,000. Nuk ka më zyrtarë për fotokopje. Parimi është i qartë, puna e njëjtë, paga e njëjtë. Por a mjaftojnë vetëm parimet pa dinamikë veprimi? E them se jo.

Në të gjitha konstatimet del se me mijëra zyrtarë publik mbajnë nga dy pozita, e në anën tjetër kemi profesionistë të pa punë.
Pra, po e ritheksoj se hapat janë të qartë. Një reformë e thellë dhe transformim duhet të ndodh në funksion që administrata të kthehet në gjenerator të zhvillimit. Por kjo nuk ndodh me deklarata boshe.

Andaj, zotohem se kursi im publik dhe politik është dhe do të mbetet se me shpejtësi duhet të shtyhet paketa e reformës për shërbimin civil, të depolitizohet që agjencionet profesionale bashkarisht me miqtë dhe partnerët e vendit të depolitizojmë bordet, të sintetizojmë dhe harmonizojmë një seri strukturash që nuk komunikojnë mes vete, ti thërrasim për mbështetje për reformë dhe drejtësi, si mjet dhe mekanizëm i barazisë para ligjit.

Pra, konkursit duhet ti kthehet meritokracia, ligji duhet ta bëjë drejtësinë dhe barazinë, e administrata duhet të kthehet në shërbim të publikut dhe gjenerator të zhvillimit.

Ky është një zotim për transformim.