SHPËRNDAJE

Në tubimin zgjedhor të Vetëvendosjes në Deçan, sekretari organizativ dhe kandidati për deputet, Dardan Molliqaj, tha se në këto zgjedhje janë 2 koncepte, janë 2 grupacione. Sipas tij, nga njëra anë janë partitë e pazareve nga ana tjetër është Lëvizja Vetëvendosje me programin e saj.

“Përfaqësohen dy modele: nga njëra anë janë ata që nuk e futën UÇK-në në Kushtetutë, nuk i futën veteranët në Kushtetutë, por që i futën nëpër lista për t’u marrë votën në zgjedhje”, tha Dardan Molliqaj në këtë tubim.

Molliqaj tha se Vetëvendosje është për alternativën që do ta bëjë Kosovën si Prishtinën, sepse Prishtina është zgjidhja dhe zhvillimi.“Na akuzuan se e prishëm opozitën e bashkuar. Po, sepse Ramush Haradinaj kërkoi që ne të shkonim me klanin Pronto në koalicion. Dhe ne i thamë jo”, ka thënë Molliqaj në fjalën e tij, teksa ka folur për jokonistencën e Haradinajt.

“Fitorja e Vetëvendosjes e shpëton Kosovën. Por kësaj fitoreje nuk i shpëtojnë të korruptuarit, nuk i shpëtojnë kriminelët, nuk i shpëton SHIK-u. Vota për Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin kryeministër është votë për barazi, është votë për zhvillim”, tha kandidati për deputet Dardan Molliqaj, njofton zyra e Vetëndosjes.

Ndërsa Visar Ymeri, në tubimin elektoral të Deçanit, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se pas një jave do të jetë dita e partisë të cilës i prin. Kurse për “Fillimin e Ri” të premtuar nga partia që ishte në pushtet vazhdimisht gjithë këto vite, tha se nuk është asgjë tjetër përveçse pushteti i këtyre 18 vjetëve.

“Nuk ka kurrfarë fillimi të ri, mbase janë disa emra të ri që do të vazhdojnë avazin e vjetër. Një Kosovë e re do të jetë një Kosovë e cila e zhvillon ekonominë e vet, një Kosovë që përfundimisht ia mbyll derën Serbisë, dhe jo një Kosovë që deporton aktivistë nga Shqipëria”, tha Visar Ymeri në tubimin zgjedhor në Deçan.

Ai është zotuar se Republika e Kosovës do ta ketë ushtrinë e vet.

“Ne jemi të vendosur që ta themelojmë këtë ushtri. Themelimi i ushtrisë do të thotë t’i vendosim ndjenjat tona historike në shërbim të paqes në botë. Ne e shohim pavarësinë kur edhe ne i kontribojmë NATO-s dhe jo kur iu kërkojmë lëmoshë”, ka thënë para deçanasve Visar Ymeri.

Ai tha se po ashtu se qeverisja e Vetëvendosjes do të angazhohet që të marrim më shumë aty ku tashmë ka shumë dhe të japim më shumë aty ku ka nevojë më shumë.

Tubimi u hap me fjalën e kryetarit të Vetëvendosjes në Gjakovë dhe kandidati për deputet, Driton Çaushi. Ai tha se qytetarët e Deçanit dhe gjithë Kosovës e kanë ndarë mendjen për ndryshim.

“Qytetarët e Deçanit e kanë këtë zgjedhje më të qartë se kushdo tjetër, dhe kjo për shumë arsye. Deçanasit e njohin konsistencën e Vetëvendosjen në qëndrimet e saj”, tha Driton Çaushi para deçanasve.

Çaushi tha se janë pak ditë para një dite tepër të rëndësishme, para 11 qershorit, për të cilën ditë tha se përkundër të gjithave duhet të gjemë energji, duhet të gjejmë fuqi pas këtij tubimi për një çështje që na bashkon të gjithëve.

“Nuk guxojmë të ndalemi për shkak se këto mundësi nuk na jepen shumë shpesh. Vetëvendosje si asnjëherë më parë pas datës 11 qershor do të bëjë një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si trajtohet shteti dhe drejtësia”, tha ndër të tjera kandidati për deputet, Driton Çaushi.

Në tubimin zgjedhor të Deçanit, nënkryetarja dhe kandidatja për deputete, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, tha se jemi shumë afër ndryshimit.

“Besoj se Lëvizja ka dhënë mjaftueshëm prova se ka ardhur koha e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Ajo tha se pabarazia është e shprehur kudo, por më së shumti në shëndetësi. Dhe për këtë Mulhaxha-Kollçaku premtoi se Vetëvendosjekëtë do ta ndryshojë me shërbime cilësore dhe qasje në to për të gjithë qytetarët.