SHPËRNDAJE

Ani pse janë bërë 3 muaj që kur është votuar mocioni për rrëzim të qeverisë, ajo po vazhdon punën. E krejt kjo falë vonesave në krijimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.

Edhe sot Qeveria në shkuarje e Kosovës do të mbajë mbledhje të rregullt, ani pse shumë nga ministrat më shumë i kushtojnë rëndësi takimeve për sigurim të numrave, se sa punës nga ku marrin rrogat akoma, shkruan gazetametro.net.

Për mbledhjen e sotme ka njoftuar vetë Zyra e Kryeministrit, duke bërë të ditur se në mbledhje merr pjesë edhe kryeministri në shkuarje, Isa Mustafa.

Mbledhja është paraparë të nis në orën 09:00, detajet e të cilës nuk janë bërë të ditura. Mirëpo, siç edhe dihet, qeveritë në shkuarje janë të kufizuara në marrje të vendimeve në kohën kur presin të zëvendësohen.

Për këtë qeveria në shkuarje e Mustafës ishte kritikuar në vazhdimësi që nga mocioni ndaj saj, duke u potencuar nga opozita se po shfrytëzon qeverinë për të marrë vendime sa për marketing politik.

Ndryshe, qeveria në shkuarje po vazhdon të ‘jetojë’ falë mungesës së numrave të koalicionit fitues të zgjedhjeve të 11 qershorit, pasi ata nuk po arrijnë të votojnë kryeparlamentarin për të hapur rrugë më pas për votim të qeverisë.