SHPËRNDAJE

Kryeministri në largim, Isa Mustafa, ka thënë përmes rrjetit social facebook, se nuk është penduar që në vitin 2014 bëri koalicion me PDK-në. Ai ka thënë se për koalicionin u pendua PDK-ja, e cila sipas tij e prishi marrëveshjen.

Ai ka përmendur “të arriturat e Qeverisë”, ndërsa ka arsyetuar tërheqjen e tij nga kandidati për kryeministër dhe për deputet.

Ky është postimi i plotë i Mustafës:

Të dashur miq,

Unë nuk jam penduar për koalicionin e vitit 2014 me PDK-në. Prandaj gënjejnë ata që hapjen e rrugës për njerëz të rinj për Kryeministër dhe vendimin tim të mos kandidoj për deputet e shpjegojnë si akt moral për shkak të dështimit të koalicionit me PDK-në.

Për koalicionin u pendua PDK-ja dhe kryetari i saj e jo unë që respektova marrëveshjen.

Qeveria, të cilën e drejtova, arriti suksese të jashtëzakonshme në ekonomi, në punësim, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe në integrimet evropiane. Qeveri e pa korruptuar dhe e aftë.

E vetmja çështje që nuk u përfundua është liberalizimi i vizave, për të cilën përgjegjësinë e kanë ata që e kundërshtuan demarkacionin me Malin e Zi. Ata i lanë qytetarët pa liberalizim!

Për kandidat për Kryeministër, me iniciativën time, është diskutuar një listë më e gjerë, përfshirë nënkryetarë e LDK-së dhe z. Hoti dhe të gjitha strukturat janë pajtuar që kandidat yni në këto zgjedhje të jetë prof. Avdullah Hoti.

Personalisht kam vlerësuar se kandidati për Kryeministër duhet ti prij listës së deputetëve, prandaj si Kryetar i LDK-së kam konsideruar të mos garoj për deputet.

Opinionet tjera në debate televizive i konsideroj si nënshtrim para njerëzve që janë pjesë e ekipeve të koalicionit tjetër. IM