SHPËRNDAJE

Nënkryetari i AAK’së/ Ja me cilat parti mund të lidhim koalicione

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk e ka ndërmend që të vazhdojë partneritetin pas zgjedhjeve me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) edhe përkundër bashkëqeverisjes dy vjeçare së bashku.

Nënkryetari i AAK-së, njëherit edhe zëvendësministër në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit (MTI), Rexhep Kadriu ka thënë se PDK-ja nuk ka pasur qëndrueshmëri në qëndrimet politike, prandaj edhe është e pamundur të qeverisin bashkë edhe njëherë.

“Nuk do ta vlerësojmë koalicionin me PDK-në, arsyeja e vetme është se ne kemi qenë në koalicion. E dimë edhe deklarata e tyre të ndryshme, në paradite tjetër në darkë ndryshe do të thotë nuk ka pasur qëndrueshmëri në qëndrimet e tyre politike”, tha Kadriu për Ekonomia Online.

Ai thotë se janë për koalicion me Nismën, AKR-në dhe LDK-në, ndonëse shprehet i bindur në fitoren e koalicionit AAK-PSD.

Pas zgjedhjeve ai thotë se do të diskutohen me të gjitha forcat politike çështjet e rëndësishme për vendin, sidomos dialogu me Serbinë.