SHPËRNDAJE

Ministria e Punëve të Brendshme filloi hartimin e Strategjisë së re Kundër Terrorizmit 2017 – 2022. Kjo strategji do të udhëhiqet nga zëvendësministri i MPB-së, Valdet Hoxha njëherit Koordinator Nacional Kundër Terrorizmit.

Koordinatori Nacional Kundër Terrorizmit Valdet Hoxha falënderoi të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare për kontributin dhe angazhimin e tyre serioz për implementimin e strategjisë së kaluar, duke vlerësuar lartë punën e secilit zyrtar të angazhuar në fushën e terrorizmit dhe njëkohësisht kërkoi nga të gjithë anëtarët e grupit punues që të angazhohen seriozisht në mënyrë që të kemi një strategji të re sa më praktike, efektive dhe efikase në luftë kundër terrorizmit.

Në grupin punues për Strategjinë e re kundër terrorizmit përveç institucioneve vendore, po marrin pjesë edhe mekanizmat ndërkombëtar, ndërsa përveç mbështetjes profesionale, edhe financimin për finalizimin e këtij dokumenti shumë të rëndësishëm po e bënë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Përballja me sukses me terrorizmin si njëri ndër kërcënimet më serioze në botën bashkëkohore është e mundur vetëm me një angazhim sistematik, të planifikuar dhe të koordinuar në nivel vendi dhe në aspektin ndërkombëtar”-tha koordinatori Hoxha.

Zëvendësministri gjithashtu theksoi se shteti i Kosovës zotohet se do të angazhohet maksimalisht për parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie në vendin tone, si dhe ka synim që të vazhdojë të jetë partner i rëndësishëm dhe pjesë e pandashme e përpjekjeve ndërkombëtare kundër terrorizmit.