SHPËRNDAJE

Presidenti në largim i Shqipërisë, Bujar Nishani ka kërkuar edhe një herë nga Bashkimi Evropian, që ta ketë në agjendën e saj Ballkanin Perëndimor, si rajon strategjik, politik por edhe si udhëkryq i zhvillimi dhe bashkëpunimit me kontinentet tjera.

“Mendoj se është e nevojshme që shoqëria evropiane të kuptojë pikësëpari se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit i përkasin në mënyrë të natyrshme identitetit evropian. Kjo është tepër e rëndësishme sepse na duhet të rrisim mirëkuptimin me njëri-tjetrin”, deklaroi Nishani.

Së dyti, Evropa sipas tij, duhet ta mbajë gjallë procesin e integrimit evropian për Shqipërinë, dhe jo vetëm për të, por edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, “sepse procesi i integrimit evropian ka qenë dhe ende është mekanizmi më i mirë për të gjitha vendet dhe kombet në këtë rajon kaq të vështirë, për ripajtim mes tyre, për të arritur begatinë e për të punuar së bashku”.

Duke u ndalur te përfitimet që Evropa ka nga anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE, Nishani ka thënë se në ditët e sotme, hapësira evropiane po përballet me shumë çështje shqetësuese, konsideron Nishani për DW.

“këto janë: terrorizmi, valët e emigracionit të paligjshëm, refugjatët, e gjëra të tilla të ngjashme, ndryshimet klimaterike, varfërinë, kështu që si një krah i zonës evropiane, Ballkani, përfshi edhe vendin tim, Shqipërinë, mund të shërbejnë për të zgjeruar fushën e bashkëpunimit dhe të sigurisë”, konsideron Nishani, citon TCH.

Ballkani, në veçanti Shqipëria, sipas tij, është udhëkryqi më i mirë për shkëmbimin e mallrave dhe bashkëpunimin ekonomik mes Evropës dhe kontinenteve të tjera. “Kështu që besoj se ka një mundësi të vërtetë për kontribut nga vendi im dhe te vendet e tjera”, konsideron presidenti i Shqipërisë, Nishani.