SHPËRNDAJE

Martin Shkreli, biznesmeni shqiptar që jeton në Amerikë, ishte bërë i njohur për publikun amerikan kur e kishte ngritur për 5000 përqind çmimin brenda natës të një medikamenti që është i nevojshëm për kurimin e kancerit, e që prodhohet nga kompania e Shkrelit.

Shkreli, që muajin e shkuar u dënua për mashtrime me sigurime dhe u detyrua të japë dorëheqje nga kompania e tij, ka nxjerrë në shitje kopjen e vetme që ekziston të albumit ‘Once Upon a Time’, të Wu Tang Clan, shkruan Guardian.

Para dy vitesh, Shkreli kishte fituar ankandin për këtë album ku kishte paguar 2 milionë dollarë vetëm për një CD. Të mërkurën ai e nxori albumin në platformën për shitje online, eBay, ku kërkoi më shumë se 1 milionë, por oferta më e madhe ishte 100 mijë dollarë.

Albumi që ka blerë Shkreli konsiderohet më i shtrenjti në botë. Shkreli, që konsiderohet njeriu më i urryer në Amerikë, po përballet me rrezikun që të dënohet me 20 vjet burg, pasi 34 vjeçari u dënua për mashtrime të partnerëve dhe investitorëve në firmën e tij, Turing.