SHPËRNDAJE

Pas koalicionit me AKR’në, numrat e famshëm të PAN’it u siguruan për të votuar kryeparlamentarin dhe qeverinë e re, por me gjithë këtë, PAN’i akoma s’po bën kërkesë te kryesuesi për ta thirrur seancën.

Këtë e ka konfirmuar vetë kryesuesi Adem Mikullovci, i cili më herët kishte thënë se do ta thërras seancën sapo të konfirmohen numrat dhe të bëhet kërkesa nga koalicioni fitues. I njëjti sot ka thënë se akoma nuk ka një kërkesë të tillë, shkruan gazetametro.net.

Ndërkaq, Metro ka provuar të marr vesh nga koalicioni më i madh se kur do ta bëjnë një gjë të tillë, por kjo gjë ka qenë e pamundur.

Pal Lekaj nga AAK’ja ia ka ‘hedhur topin’ topin PDK’së, duke thënë se ata po merren me koordinimin e thirrjes së seancës.

‘Kontaktoni z. Enver Hoxhaj, ai po koordinon punët’, ka thënë shkurt për Metron Pal Lekaj.

Ndërkohë, Metro ka provuar të flas me nënkryetarin e PDK’së, por ky i fundit nuk iu është përgjigjur thirrjeve e as mesazheve të gazetës.

Por, PAN’i menjëherë pas marrëveshjes ka thënë se krijimi i institucioneve do të bëhet brenda ditësh, mirëpo akoma nuk ka lëvizur diçka në atë drejtim. E enjtja është parë si një ditë e mundshme e mbajtjes së seancës, por deri në këtë moment një gjë e tillë nuk është bërë e ditur.

Ndryshe, krijimi i institucioneve është zhagitur pas zgjedhjeve të 11 qershorit, pasi numrat që siguronin votat e nevojshme në Kuvend mungonin. Kanë shkuar 6 vazhdime të seancave konstituive, por që kanë mbetur peng nga votimi i kryetarit. Seanca e shtatë do të jetë fundi i vazhdimeve të seancave, pasi me votimin e kryetarit do të mbyllet konstituimi i Kuvendit, për t’u hapur rrugë më pas për votimin e Qeverisë.