SHPËRNDAJE

Politika dhe Qeveria nuk do të përzihen në gjyqësor, as edhe të bëjnë rizgjidhje të përgjithshme të gjykatësve. Qëndrimi ynë është të bëhen reforma përmbajtësore në gjyqësor. Aty ku është gabuar, do të ketë masa. Megjithatë, ajo kompetencë jepet në Këshillin gjyqësor, si organ i cili në bazë të kritereve të cilësisë dhe sasisë, do të sillen vendimet, ka theksuar sot zv.kryeministri Bujar Osmani, përcjell Telegrafi Maqedoni.

‘Në lidhje me deklaratën nëse do të ketë apo nuk do të ketë riemërim të gjykatësve, qëndrimi i Qeverisë është i përbashkët, i Komisionit evropian, trupit të Këshillit të Evropës, duke përfshirë edhe Komisionin e Venedikut dhe GREKO, se janë të nevojshme reformat në gjyqësor’, ka thënë Osmani ndër të tjera.

Ai më tej ka theksuar se zbatimi i reformave gjyqësore, është një nga kushtet kryesore në pjesën politike të kriterve të cilën Maqedonia duhet ta përmbushë për anëtarësim në BE, ndërsa Plani 3-6-9 një pjesë e masave, gjithsej, janë paraparë pikërisht në sistemin e drejtësisë, njofton AIM.

Nga ana tjetër edhe ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji, ka theksuar se Ministria për Drejtësi në kuadër të kompetentëve të saj, tashmë ka formuar edhe Këshillin për ndjekjen e reformave në sistemin e drejtësisë dhe grupe të punës, të cilët punojnë në sjelljen e një strategjie në sistemin e drejtësisë, të cilën pritet Qeveria ta sjell deri në tetor të këtij viti.