SHPËRNDAJE

Presidentja Osmani ka kërkuar nga homologu Meta që Shqipëria të jetë zë i fuqishëm i Kosovës në organizatat në të cilat vendi ynë nuk është i përfaqësuar.

Në takimin që pati Osmani me homologun e saj shqiptar ajo ka theksuar se është kundër çfarëdo ideje, e cila përpiqet ta trajtojë në mënyrë jo të barabartë Kosovën.

“Kosova nuk mund të bëhet pjesë e iniciativave apo mekanizmave rajonal, poqëse përfaqësimi në këto iniciativa që nga zanafilla nuk është gjithëpërfshirës dhe mbi parimin e barazisë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Duke iu referuar iniciativës Ballkani i Hapur, ajo ka theksuar se nuk mund të mbështetet symbyllur asnjë iniciativë që mund ta rivalizojë apo pengojë procesin e integrimeve në BE dhe orientimin euro-atlantik të rajonit, ku Serbia synon ta ketë rolin kryesor dhe e cila ende nuk e ka njohur Kosovën. Kështu thuhet në komunikatën për medie nga zyra e presidentit.

Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka dëshmuar gatishmëri për vazhdimin dialogut me Serbinë, porse nuk do të jetë pjesë e asnjë aranzhmani, i cili nuk e garanton sovranitetin, integritetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se së bashku me Shqipërinë duhet të angazhohen për ta përçuar mesazhin në rajon dhe në botë për rrezikun që i kanoset Ballkanit nga politika agresive dhe hegjemoniste e Serbisë.

Më tej, Presidentja Osmani, në vigjilje të Ditës së flamurit, e ka uruar presidentin Meta dhe popullin shqiptar për 109- vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ka theksuar se kjo ditë i bën krenarë shqiptarët kudo që janë. Sipas Presidentes Osmani me Shqipërinë bashkëpunimi i vendosur prej kohësh më shumë fusha do të pasohet edhe me marrëveshje të tjera. Ajo përmendi mbledhjen e dy Qeverive, e cila do të mbahet më 26 nëntor në Elbasan, në të cilën Kosova dhe Shqipëria do të nënshkruajnë 16 marrëveshje të tjera, ndër të cilat ajo për lëvizjen e lirë, shkëmbimin tregtar, fushën e arsimit, drejtësisë apo infrastrukturës.