SHPËRNDAJE

Organizatorët e Protestës Kundër Ndotjes së Ajrit në Prishtinë kanë paraqitur pesë kërkesa për institucionet shtetërore, me qëllim përmirësimin e ajrit të ndotur në kryeqytet.

Përmes një njoftimi për media, organizatorët kanë përpiluar një kumtesë ku janë paraqitur këto pesë kërkesa.

Kërkesat e protestuesve vijojnë më poshtë:

KËRKESAT E PROTESTËS së 31 janarit kundër ndotjes alarmante të ajrit në Prishtinë, Obiliq dhe Fushë Kosovë

Kërkesa emergjente që duhen të plotësohen brenda një jave:
1. Raportim i veçantë – drejtuar mediave e në veçanti RTK-së
Të raportohet në mënyrë të veçantë së paku dy herë në ditë për gjendjen e ajrit dhe për problemet që mund të shkaktojë ndotja e tij. Në këto raportime të paraqiten udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Poashtu këtu mund të raportohet edhe për veprimet e institucioneve në drejtim të përmirësimit të gjendjes. Qëllimi i këtij raportimi është sensibilizimi i popullatës për problemet që mund të shkakëtojë ndotja e lartë e ajrit dhe për mundësitë e ruajtjës nga kjo ndotje.
2. Të shpërndahen maska për të gjithë – drejtuar Komunës së Prishtinës, Komunës së Obiliqit, Komunës së Fushë Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë në përgjithësi.
Institucionet e përmendura të sigurojnë maska për mbrojtje nga ndotja e ajrit dhe t’i shpërndajnë ato për banorët e Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Obiliqit nëpër Qendra të Mjekësisë Familjare dhe në Shkolla.
3. Plan për ndalimin e ngrohjes me qymyr – drejtuar Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit.
Brenda një jave të krijohet dhe të bëhet publik një plan me data të sakta për ndalimin e përdorimit të qymyrit për ngrohje. Ky plan duhet të përfshijë edhe mundësinë e subvencionimit për familjet e varfra.
4. Raport publik për ndotjen nga termocentralet – drejtuar Ministrisë së Mjedisit
Të bëhet publik një raport javor për ndotjen që krijohet nga termocentralet dhe kontrollin e filtrave. Ekziston një paqartësi si duket e qëllimshme rreth nivelit të ndotjes që shkaktohet nga termocentralet.
5. Kontrolli teknik i makinave për emetim të gazrave – drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Infrastrukturës.
Të caktohet një datë nga kur Kontrollet Teknike do të bëjnë edhe kontrollimin e gazrave të makinave. Për shkak të ndikimit nga interesat e ndryshme biznesore në Kosovë ende nuk kontrollohen makinat për ndotjen që shkaktojnë, duke lënë kështu në qarkullim makina me nivel të jashtëzakonshëm ndotës.

Kërkesa afatgjata që duhet të plotësohen deri në fund të shkurtit 2018
1. Plani i kogjenerimit – drejtuar Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës.
Të krijohet një plan konkret dhe i detajuar me data të sakta për zgjerimin e kogjenerimit dhe të ndërpritet praktika e veprimeve ad hoc në këtë drejtim.
2. Bileta mujore e trafikut kolektiv – drejtuar Komunës së Prishtinës dhe Trafikut Urban.
Të aplikohet Bileta Mujore për qarkullim me autobusat në Komunën e Prishtinës dhe rrethinë. Bileta duhet të ketë çmimë të arsyeshëm në mënyrë që të promovojë udhëtimin kolektiv.
3. Hapësira të reja gjelbëruese – drejtuar Komunës së Prishtinës, Komunës së Obiliqit, Komunës së Fushë Kosovës
Të krijohet dhe të bëhet publik një plan për krijimin e hapësirave dhe pikave të reja gjelbëruese. Duke marrë parasyshë ndërtimin e dendur ky plan duhet të përfshijë zgjidhje kreative për të ndikuar në gjelbërimin e hapësirës së kryeqytetit dhe komunave përreth.