SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë liberale serbe Slobodan Petroviq thotë se “deri më tani 100 herë kemi mundur të votojmë për Ushtrinë e Kosovës, por për këtë duhet të vendosë Beogradi dhe cili do që të jetë vendimi i tij, ne do t’i qëndrojmë prapa”.

Përfaqësuesit e Listës Srpska në Kosovë, por edhe zyrtarë të Beogradit porosisin se vetëm kjo forcë politike është garantuese se nuk do të formohet Ushtria e Kosovës, ndërsa është e sigurt se kjo listë nuk do të jetë zëri i vetëm serb në Kuvendin e Kosovës, parashohin medie serbe.

Duke shkruar për këtë, novostionline, thotë se shtrohet pyetja rreth presioneve të mundshme të partive shqiptare ndaj përfaqësuesve serbë të cilët në zgjedhje kanë përkrahjen e Beogradit, pasi që për kalimin e Ushtrisë në parlament janë të nevojshme edhe vota të serbëve.

Në Beograd tashmë ka zënë vend frika se në parlament mund të gjenden parti serbe që do të votonin për formimin e Ushtrisë së Kosovës pasi që me Kushtetutë serbët në Kuvendin e Kosovës duhet t;i kenë 10 deputetë.

këtë kontekst përmendet mundësia që Partia e serbëve të Kosovës e udhëhequr nga Aleksandar Jabllanoviq dhe Partia Liberale serbe (SLS) e Slobodan Petroviqit të zënë vend në Kuvend.

Lidhur me këtë, përcjell Koha.net, Petroviq ka thënë se partia e tij (SLS) gjithmonë ka pasur qëndrim se Ushtria është çështje serioze për të cilën Prishtina e Beogradi duhet të merren vesh në Bruksel:

“Në pushtet jem qe shtatë vjet dhe gjithmonë e kemi pasur këtë lloj presioni. Deri më tani 100 herë kemi mundur të votojmë për Ushtrinë, por për këtë duhet të vendosë Beogradi dhe cili do që të jetë ai vendim, ne do t’i qëndrojmë prapa”.

Petroviq mendon se partia e tij do të zërë tri vende në Kuvend dhe shton se pavarësisht nga ofertat që nga liderët shqiptarë do t’u bëhen, nuk beson se ndokush nga serbët do të ngrinte gishta për Ushtrinë e Kosovës, sepse, tha ai, “ajo nuk është temë e tyre”.