SHPËRNDAJE

Policë të EULEX-it dhe ata të njësive elite të Policisë së Kosovës, të kamufluar me maska, kanë rrethuar shtëpinë e Agron Sylejmanit, sot në orët e mëngjesit, raporton.

Aksioni në fjalë, që po zhvillohet në Kushevicë të Podujevës, është konfirmuar për Gazetën Express nga zyrtarë të PK-së, por, sipas tyre, detaje shtesë mund të japë vetëm EULEX-i.

Nga ana tjetër, Agron Sylejmani, tashmë i vdekur, është akuzuar për vrasjen e aktivistit të LDK-së, Haki Imeri, në nëntor të vitit 1999. Denoncimin publik e ka bërë në disa raste vëllai i tij Imer Imeri, i cili e ka cilësuar vrasje politike. Ai ka thënë se vëllai i tij është kidnapuar nga tre policë ushtarakë të UÇK-së.

Sylejmani, për të cilin vëllai i tij ka thënë se është vrarë nga Policia e UNMIK-ut, është përfolur edhe për përfshirje në rastin e vrasjes së gazetarit Bekim Kastrati.

Djali i të ndjerit Haki Imeri, Kastrioti, kishte treguar se çfarë ka ndodhur me 3 të dyshuarit për vrasjen e babait të tij.

“Agron Sylejmani është vrarë nga policia e UNMIK-ut në vitin 2004, ku janë vrarë edhe dy policë në përleshje me të dhe grupin e tij. Naim Kadriu ka vdekur në një aksident në Podujevë. Ndërsa, për fatin e Avni Fetës nuk dihet se a është i vdekur apo ku gjendet. Këtë nuk e di askush”, kishte pohuar Kastriot Imeri.

Ndryshe, aksioni i sotëm policor ka ndodhur pikërisht në ditën kur është funksionalizuar Gjykata Speciale, e cila pritet të merret edhe me disa raste të vrasjeve që konsiderohen të motivuara politikisht.