SHPËRNDAJE

Policia ka dhënë detaje në lidhje me aksionin e madh të zhvilluar në zonën e Akërnisë në Vlorë, ku këtë të dielë u sekuestruan plot 700 kilogramë drogë dhe një sasi e stërmadhe benzine, 2880 litra.

Aksioni ka nisur që ditën e djeshme në këtë zonë, pas operacionit të kryer mes policisë dhe guardia di Financa, ku u kapën në det 650 kilogramë dhe dy trafikantët që po transportonin kanabisin drejt Italisë. Pas këtij operacioni, policia ka nisur të krehë zonën nga ku trafikantët ishin nisur dhe kanë gjetur 700 kilogramë të tjera drogë dhe sasinë monstruoze të benzinës, e ndarë në 48 bidonë 60 litroshë (secili).

Edhe kjo sasi droge ishte bërë gati për t’u transportuar drejt Italisë. Policia nuk jep shumë detaje, por dyshon se dy personat e arrestuar dje në det, në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, kishin bërë në plan që sasinë prej 700 kilogramësh ta trafikonin këtë mbrëmje.

NjOFTIMI I POLICISE 

Sekuestrohen rreth 700 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sattiva në Akërni.

Sekuestrohen dhe 48 bidona me nga 60 litra benzinë, gjithësej 2880 litra.

Gjithashtu në afërsi të lëndës narkotike është gjetur edhe një automjet Furgon, bosh pa ngarkesë.

Në vijim të operacionit ndërkombëtar të nisur ditën e djeshme i cili u finalizua me sukses falë bashkëpunimit me DVKM Vlorë, Delta Forcën, DVP Vlorë dhe Guardia di Financën, ku u sekuestruan rreth 650 kg lëndë narkotike në ujrat ndërkombëtare si dhe u kapën dhe u ndaluan dy shtetas që po e transportonin, operacioni ka vijuar me krehjen e zonës ku dyshohet se është nisur gomonia që u sekuestrua me lëndë narkotike.

Si rezultat i krehjes së zonës nga Delta Forcë, Policia Kufitare Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe GdF u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i sasisë tjetër të lëndës narkotike Cannabis Sattiva gati për tu trafikuar.

Lënda narkotike u gjet pranë ”hidrovorit” në Akërni, Novoselë, të fshehur në një zonë pyjore, 29 pako të mëdha me peshë 20 deri në 25 kilogramë secila.

Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar 48 bidona me benzinë me nga 60 litra secili, si edhe një mjet tip furgon të markës ”Iveko”, bosh.

Nga hetimet paraprake dyshohet se dy personat e kapur në Itali në operacionin e përbashkët, në bashkëpunim me dy persona të tjerë ku për arsye hetimi nuk jepen të dhëna për ta do të trafikonin në Itali edhe këtë sasi lënde narkotike të sekuestruar në Akërni.

Vijon operacioni dhe shkëmbimet intensive të informacioneve me Zyrën Interforcë të Policisë italiane dhe Guardia di Finanza.