SHPËRNDAJE

Njolla gjaku dhe pjesëtarë të Policisë janë parë të qëndrojnë në vendin ku para disa orësh është sulmuar drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj.

Hyrja e banesës së tij në lagjen Ulpiana ka qenë e përgjakur ndërsa policia ka analizuar provat në vendin e ngjarjes.

Dy sulmuesit sipas të dhënave të deritashme të maskuar me maska e dorëza kanë sulmuar me shufra hekuri Zogajn në hyrjen e ndërtesës së tij. Ata kanë ikur në drejtim të panjohur duke e lënë eprorin e burgjeve të shtrirë përtokë. Zogaj për momentin është duke marrë tretman në QKUK ndërsa ‘kallxo’ mëson se plagët e tij në kokë nuk përbëjnë rrezik për jetë.

Sokol Zogaj është ushtrues detyre i drejtorit të burgjeve që rreth një vit. Në mandatin e tij kanë ndodhur ndryshime përfshirë suspendimin e një varg drejtorësh të burgjeve.

Ndërkohë, edhe Policia e Kosovës përmes një kumtese për media e ka konfirmuar edhe zyrtarisht ngjarjen. Policia gjithashtu ka konfirmuar se viktima është sulmuar me shufra hekuri dhe se autoritetet tashmë kanë nisur rastin për sulm ndaj personit zyrtar.