SHPËRNDAJE

Një pjesë e partive politike po vazhdojnë të premtojnë rritje të pagave në sektorin publik, pavarësisht se morën rekomandime nga FMN-ja që këtë premtim të mos e përsërisin.

Por, sa më shumë që po afrohet fundi i fushatës, aq më shumë po rriten edhe premtimet, raporton KTV.

Drejtuesit e partive apo koalicioneve, sipas përfaqësuesve të bizneseve, me apo pa vetëdije, janë duke i shkaktuar probleme të mëdha nxitjes së investimeve nga jashtë.

Përpos kësaj, përfaqësuesit e bizneseve thonë se rritja e pagave do të rrisë edhe më shumë çrregullimin tregut të punës në vend.

Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se përveç kësaj sindrome, së cilës nuk po mund t’i ikin politikanët, në Kosovë po vazhdon të mos funksionojnë as rendi dhe ligji dhe për më keq edhe moskomunikimi mes institucioneve.

Por, në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë thonë se bazuar në të dhënat e fundit të BQK-së, investimet e jashtme janë duke u rritur.

Besian Mustafa, drejtor i KIESA-s, ka thënë se për shkak të zgjedhjeve mund të ketë një shtyrje të aktiviteteve për investime deri në konsolidimin e qeverisë së re, por më problematik ka thënë se është jostabiliteti politik në gjithë Ballkanin.

Përpos këtij problemi, një imazh negativ llogaritet t’ia ketë dhënë vendit dështimi i investimeve në Brezovicë, ndërsa situatën mund ta ndryshojë nisja e investimeve në ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re pasi Kosova vazhdon të mos e ketë të sigurt furnizimin me energji elektrike.