SHPËRNDAJE
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe zyrtarisht i ka dërguar shkresën kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa për të mbështetur qytetarët e Hjuston të SHBA-ve, pas përmbytjeve të nxitura nga uragani Harvey.

Në shkresën drejtua kryeministrit, presidenti Thaçi ka kërkuar që Qeveria e Kosovës t’i ndaj së paku 100 mijë dollar për qytetarët e prekur nga uragani në Hjuston.

 

Kjo është shkresa e plotë e presidentit Thaçi drejtuar kryeministrit, Isa Mustafa.

 

I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, Z. Mustafa, Duke njohur përkrahjen e madhe që ka dhënë dhe po japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lirinë dhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës, Duke marrë parasysh shpirtin solidar të popullit të Kosovës, që nuk harron kurrë ndihmën e popullit amerikan për Kosovën, Duke ndjerë shqetësimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të ndara me shqetësimet dhe zhvillimet në Hjuston, pas reshjeve dhe përmbytjeve masive të shkaktuara nga uragani Harvey, I bëj thirrje dhe kërkoj nga Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim urgjent për ndarjen e së paku njëqindmijë dollarëve amerikanë (100.000 US$), në ndihmë të familjeve amerikane të prekura nga kjo katastrofë.

Jam i vetëdijshëm që kjo shumë është simbolike, por ne, si një shtet i ri, por me një traditë shekullore të solidaritetit, gjithmonë kemi ndihmuar me aq sa kemi pasur mundësi. I nderuari Z. Mustafa, Jam i bindur që Qeveria e Republikës së Kosovës, të cilën Ju e udhëhiqni, në një kohë sa me të shpejtë, do të bëjë ndarjen e kësaj shume simbolike financiare si dëshmi e solidaritet të qytetarëve të Republikës së Kosovës me qytetarët e Hjustonit.

Me respekt! Hashim Thaçi President i Republikës së Kosovës