SHPËRNDAJE
Prokurori Afrim Shefkiu merr përsipër rastin e veteranëve

Prokurori Special, Afrim Shefkiu është ngarkuar me hetimin e rastit e manipulimit me lista të veteranëve, ka mësuar Insajderi.

Shefkiu, e ka marrë këtë lëndë të mërkurën në një takim të kolegjiumit të Prokurorisë Speciale. Shefkiu, po e pason në këtë rast, ish-prokurorin Elez Blakaj, i cili pas largimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dhënë dorëheqje dhe ka akuzuar eprorët e tij për ndërhyrje në punën e prokurorëve.

Blakaj, ka dorëzuar një aktakuzë tek kryeprokurori i Speciales, Reshat Millaku, sipas të cilit aktakuza nuk është e përfunduar. Millaku ka thënë se kopja e aktakuzës së dorëzuar nga Blakaj, ka qenë e panënshkruar, derisa një kopje të nënshkruar e ka pranuar disa javë më vonë nëpërmjet postës elektronike.

Aktakuza sipas tij duhet të plotësohet dhe të gjithë përfituesit e paligjshëm të statusit të veteranit duhet të vendosen në aktakuzë, në mënyrë që të dihen përfituesit dhe t’u ngrihen pensionet.

Por, Blakaj ka thënë se aktakuzën e ka përfunduar dhe nënshkruar.

Insajderi, ka marrë vesh se Shefkiu e ka marrë këtë lëndë vullnetarisht. Ai pritet që brenda disa javësh ta dorëzojë atë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për gjykim.

Shefkiu, është emëruar prokuror special vitin e kaluar. Ai ka ardhur nga Prokuroria Themelore e Gjilanit. Ai është duke kryer hetime kundër Milaim Zekës, për mashtrim të 920 kosovarëve me viza pune në Gjermani.

Pavarësisht, presioneve që ka bërë Zeka në Polici dhe Prokurori, Shefkiu e kishte arrestuar Zekën dhe partnerin e tij të biznesit, Ilir Krasniqin.

Zeka, e kishte takuar kryeprokurorin e Speciales, Reshat Millakun të cilit i ishte ankuar për hetimet ndaj tij. Pak ditë më vonë, ishte arrestuar me vendim të prokurorit, Afrim Shefkiu.

Tashmë zyrtarisht dihet se rreth 19 mijë veteranë janë të rrejshëm dhe përfitojnë mbi 38 milionë euro në vit.