SHPËRNDAJE

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim pune, përfaqësues të shoqërisë civile, me të cilët diskutoi për procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 11 qershor 2017.

Gjatë këtij takimi ai i njoftoi të pranishmit se Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës, në zgjedhjet e së dielës.

Lumezi theksoi në këtë kontekst se është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit në mes të Prokurorit të Shtetit, KQZ-së, PZAP-it, KGJK-së dhe Policisë së Kosovës me qëllim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm për parandalimin e shkeljeve ligjore duke përfshirë hetimin, ndjekjen dhe gjykimin efikas të të gjitha veprave penale kundër të drejtave të votimit (kapitulli XVIII të Kodit Penal).

Kreu i Prokurorit të Shtetit ndër të tjera informoi se në këto zgjedhje të parakohshme do te angazhohen rreth 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial.