AKI-ja, vazhdon të jetë pa zot shtëpie.
Mesi i dhjetorit të vitit të kaluar solli ndryshime të shumta në vend, e një ndër to ishte edhe vendimi për heqjen nga pozita e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.
Kryeministri Avdullah Hoti aso kohe kishte kërkuar dorëheqjen e Kreshnik Gashit, ish-drejtorit të AKI-së.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti i ka kërkuar Kreshnik Gashit, lirimin e detyrës së drejtorit të AKI-së”, thuhej shkurt në njoftimin e zyrës për informim.
Edhe pse nuk u dhanë detaje shtesë për kërkesën e dorëheqjes që iu bë Gashit, një vit pas vendosjes në krye të AKI-së, me këtë propozim të Hotit u pajtua edhe U.D së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, gjë që kërkohet edhe në bazë të ligjit në fuqi, ku theksohet se emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të AKI-së bëhet në bashkërisht nga presidenti dhe kryeministri.
Por gjithashtu bazuar në Ligjin për AKI-në, në nenin 5.3 përcaktohet që “Presidenti i Republikës së Kosovës bashkë me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë.
Por pavarësisht faktit se kjo pozitë vazhdon të mbetet e lirë që nga dhjetori i vitit të kaluar, askush nuk ka dhënë përgjegjësi se pse nuk është emëruar ende drejtori i ri.
Lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje nga të dyja palët, nga Presidenca dhe Qeveria, por që e vetmja përgjigje ishte se situata vazhdon të jetë e njëjtë.
“Nuk ka asnjë zhvillim të ri lidhur me këtë çështje”, u tha shkurt në përgjigjen e Zyrës për Informim të Qeverisë në detyrë.
Kurse Eksperti i Sigurisë në Kosovë, Agim Musliu ka deklaruar se dëmet e mos-emërimit të drejtorit të AKI-së janë të shumta.
Sipas tij, pavarësisht se ekziston vet struktura e Agjencisë, mungesa e drejtorit ka rëndësi të madhe në këtë institucion.
Musliu tha se në këndvështrimin politik nuk do të jap interpretime, por që nga aspekti i sigurisë nacionale, ky është një dëm i madh.
“Ka shumë gjëra që opinioni nuk i sheh, por që me to merret Agjencia. Prandaj, ato duhet trajtuar në mënyrën më të mirë dhe më efikase. Shpresoj që udhëheqësia e re e vendit, do të marr parasysh këtë fakt dhe shpejt do të caktojë të parin e AKI-së”, tha Musliu për lajmi.net.
Gjithashtu Agim Musliu deklaroi se shumë vende në botë kanë shtuar kapacitetet e sigurisë, ndërsa në anën tjetër, Kosova më shumë se çdo vend tjetër në Evropë ka nevojë për kapacitete të tilla.
“Është e papranueshme që ky institucion, i pari që merret me sigurinë nacionale, të jetë pa drejtor. Është imediate emërimi i drejtorit, veçmas që ai të jetë profesional, paanshëm në aspektin partiak dhe me frymën e nevojshme të njohurive moderne të sigurisë”, shtoi ai.
Kurse nga Zyra për Informim e Presidencës kanë vazhduar të heshtin lidhur me këtë situatë të krijuar për udhëheqësin e institucionit më të rëndësishëm të sigurisë anembanë vendit.
Ndryshe pak para përfundimit të vitit 2020 u raportua se kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti pati dërguar në Presidencë emrin e Latif Merovcit, si të nominuar kryesor, por që ky emër nuk gjeti përkrahje nga Vjosa Osmani, si u.d e presidentes.
Madje u theksua se Avdullah Hoti pati edhe një emër tjetër të propozuar, por që as ky nuk u mbështet nga Osmani.
Por që njësoj thuajse ngjau edhe me emrin e propozuar nga Vjosa Osmani në drejtim të Qeverisë. Emri i propozuar nga Osmani e që nuk u bë i ditur për media nuk gjeti mbështetje tek kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Madje Hoti pati deklaruar se çështja e shefit të AKI-së do të zgjidhet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Ndryshe Kreshnik Gashi që ishte edhe drejtori i fundit në këtë institucion ishte emëruar nga ish-presidenti, Hashim Thaçi në koordinim me ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj më 25 nëntor 2019.
Pozita e drejtorit të AKI-së ngjason me një pozitë të “nemur”, pasi thuajse asnjë nga drejtorët nuk arriti të përfundojë misionin në drejtimin e saj. Shumica prej tyre ose dhanë dorëheqje me vetë-dëshirë, ose u larguan nga pozita.