SHPËRNDAJE

Që nga 19 shtatori kur ka filluar votimi përmes postës, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë arritur rreth 6 mijë vota.

Ndonëse votimi përmes postës ka filluar më 19 shtator, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kanë arritur 6 mijë pako nga diaspora.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për lajmi.net, se deri dje në këtë institucion kanë arritur 5 mijë e 900 pako nga diasporta.

“Po vazhdon periudha e votimit përmes postës. Deri më 1 tetor kemi pranuar 5 mijë e 900 pako të supozuara me fletëvotime”, ka deklaruar Elezi, i cili shtoi se fletëvotimet e diasporës nga KQZ-ja do të pranohen vetëm deri më 5 tetor.

Po ashtu, Elezi ka bërë të ditur se numërimi i të gjitha votave përmes postës do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR).

“ Numërimi i votave përmes postës bëhet në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve dhe pasi të zhvillohen të gjitha procedurat e parapara”, theksoi Elezi.

Vlen të theksohet se ditë më parë Elezi po ashtu ka bërë të ditur për lajmi.net, se të gjitha fletëvotimet e diasporës janë duke u ruajtur në një dhomë të veçantë të cilat sigurohen 24 orë nga Policia e Kosovës.