SHPËRNDAJE

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, ka thënë se deri më tani janë gjetur vetëm 9 mbetje mortore dhe se shumë lokacione janë mbyllur pa rezultate.

“Të enjten është një aktivitet me një konfirmim identiteti, por edhe me një përmirësim të një gabimi të mundshëm gjatë periudhës së mëparshme. Aktivitetet nuk do të ndërpriten megjithëse është koha më pak e përshtatshme, por ato nuk do të ndërpriten. Hulumtime, vizita do të vazhdojmë të kemi”, tha Gjetaj.

Ai po ashtu ka thënë se në këtë periudhë 6-mujore nuk janë të kënaqur me punën që është bërë për zbardhjen e të pagjeturve

“Sigurisht që nuk jemi të kënaqur me atë çfarë është punuar deri më tash, sepse me vetë faktin që i kemi 1 mijë e 658 persona të evidentuar si të zhdukur nuk mund të krenohemi dhe të themi i kemi gjetur 9 mbetje mortore. Në disa aktivitete që janë zhvilluar nuk ka pasur gjetje, disa prej tyre kanë të bëjnë me rikonfirmimin ose konfirmimin e identitetit. Mbetet si detyrë, prioritet të vazhdohet dhe të gjenden rrugët dhe mekanizmat, të cilët mund të ndihmojnë edhe të përshpejtojnë procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur”, tha Gjetaj.

Sipas tij, në këtë gjashtëmujor janë gjetur mbetje mortore në varrezat e Prizrenit, Tusus 5, në Lushkobarë të Ferizajt 1 dhe dy në Krushë të Vogël. Për këto gjetje ende nuk ka rezultate të ADN-së. Ai ka treguar po ashtu se në këtë periudhë ka pasur aktivitete, takime me grupin punues.

Ai ka potencuar konferencën e komisariatit të lartë të Kombeve të Bashkuara në bashkëpunim me Kryqin e Kuq në Gjenevë, në të cilën kanë qenë përfaqësuesit e dy palëve, serbe dhe shqiptare.

Ndërsa Bajram Qerkini, kryetar i Komisionit Qeveritar të Familjarëve të Pagjetur, ka thënë se Serbia po luan me neve dhe se çështja e të pagjeturve nuk po merret seriozisht prej institucioneve tona.