SHPËRNDAJE

Dy uraganet që sfiduan njëri pas tjetrit Shtetet e Bashkuara, do t’i kushtojnë rëndë ekonomisë së vendit, plot 290 miliardë dollarë sipas një parashikimi të ri.

Uragani “Harvey” që goditi Hjustonin me sasi rekord reshjesh e përmbytjesh muajin e kaluar vlerësohet të jetë një prej katastrofave më të kushtueshme në historinë amerikane, e gjithashtu “Irma” pritet të shkaktojë dëme rekord deri në 100 miliardë dollarë, sipas presidentit të “Accuweather”, Joel Myers.

Ka raportime se dy stuhitë mund të eliminojnë deri në një përqind të rritjes ekonomike prej tre përqindësh të parashikuar për tremujorin e tretë të vitit. Megjithatë, analistë të cituar nga “Zëri i Amerikës” thonë se dëmet në ekonomi ka të ngjarë të jenë jetëshkurtra.

Mark Hamrick i “bankrate.com” thotë se pasojat nuk mund të dihen më saktësi deri në vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia Irma.

Duke marrë parasysh evakuimet masive dhe anulimin e mijëra fluturimeve drejt destinacioneve turistike, ekspertja e industrisë së hoteleve, Kelsey Blodget i druhet skenarit më të keq. Sipas saj, nëse mbyllja e aeroporteve në Floridën e Jugut do te zgjaste disa jave pasojat do të ishin katastrofike.

Pavarësisht ndihmës tashmë të miratuar federale prej miliarda dollarësh për zonat e përmbytura, kompania IHS Markit thotë se humbësit më të mëdhenj mund të jenë kompanitë e sigurimeve. Sipas saj, Harvey pritet të jetë uragani i dytë ose i tretë më i kushtueshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara.