SHPËRNDAJE

Policia në Filipine mori në kontroll një hotel dhe kompleks argëtues në Manila, pasi ai u sulmua nga një agresor i maskuar.

Pak pas mesnatës, me orën lokale, nga resorti popullor turistik “World Manila” u dëgjuan krisma armësh dhe shpërthime. Forcat speciale “SWAT”, efektivë policie, zjarrfikëse dhe ambulanca, u dërguan menjëherë në zonë. Pamjet e shfaqura në televizion treguan njerëzit teksa largoheshin të frikësuar nga hoteli.

Shefi i policisë së Filipineve tha se nuk besonte që bëhej fjalë për një sulm terrorist, pasi agresori nuk kishte lënduar askënd. Sipas Ronald De La Rosa, një person i armatosur kishte hyrë në zonën e lojërave në resort, duke u vënë zjarrin disa tavolinave.

Ai tha se ishte qëlluar me armë zjarri, por se plumbat nuk u ishin drejtuar të pranishëmve në sallë. Shefi i policisë paralajmëroi se militantët e shtetit islamik mund të merrnin përsipër autorësinë e ngjarjes, për qëllime propagandistike.

Fillimisht u raportua se disa persona ishin plagosur, ndërsa dëshmitarët folën për një sulm të mundshëm terrorist. Resorti përfshin një numër hotelesh dhe baresh, e gjithashtu kazino, qendër tregtare e kinema.

Departamenti Amerikan i Shtetit këshilloi qytetarët e tij të shmangnin zonën dhe të ndiqnin lajmet lokale. / Top Channel