SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mëngjesin e sotëm është takuar me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka.

Përmes një njoftimi të dërguar nga Presidenca bëhet e ditur se kanë biseduar se do të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme, duke theksuar se një gjë e tillë do të bëhet vetëm nëse shfaqet nevoja.

Thaçi ka theksuar fillimisht se do t’i shterojë të gjitha mundësitë për konsultime me partitë politike, e pastaj të gjendet një përgjigje për realitetin e ri politik.

“Nëse partitë politike nuk janë në gjendje t’i japin përgjigje këtij realiteti të ri politik në një afat të arsyeshëm kohor, jam i gatshëm t’i shpalli menjëherë zgjedhjet e reja”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se nga kryetarja Daka është njoftuar se KQZ-ja është e gatshme t’i organizojë zgjedhjet e parakohshme në çdo kohë.

Thaçi ka thënë se është thelbësore që Kosova të ketë qeveri të re, funksionale, efikase, sa më gjithëpërfshirëse dhe sa më shpejt, për t’i çuar përpara proceset e rëndësishme.